Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e 44-vjeçares shqiptare Esma Meço nga bashkëshorti i saj, Bujar Meço, në Rodopi të Greqisë. Sipas mediave greke  53-vjeçari nuk përdori vetëm një thikë për ta vrarë, por disa, madje një nga plagët më të rënda ishte në qafë, ku i kishte prerë edhe arterien karotide.

Sipas hetuesve, në banesë u gjetën dy thika të mbuluara me gjak, të cilat janë sekuestruar për ekspertim. Autopsia pritet të përcaktojë numrin e saktë të plagëve dhe shkakun përfundimtar të vdekjes së 44-vjeçares.

Krimi ndodhi në fshatin Dialampi, pikërisht në ditëlindjen e vajzës 16-vjeçare të çiftit. Minorenja ndodhej në një dhomë tjetër të banesës dhe ishte ajo që njoftoi policinë, kur u bë dëshmitare e sulmit të kobshëm të babait të saj.

Pas vrasjes, Bujar Meço tentoi t'i jepte fund jetës duke pirë benzinë. Ai u transportua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Pasi doli nga reanimacioni, autoritetet greke e arrestuan zyrtarisht, ndërsa ai vijon të ruhet nga policia në spital.

Mediat greke raportojnë se çifti ishte i ndarë dhe Esma Meço ishte kthyer në fshat për të festuar ditëlindjen e vajzës së tyre. Dy bashkëshortët, me origjinë nga Gramshi, kanë tre fëmijë, 16, 20 dhe 24 vjeç.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një episod të mëparshëm dhune. Në vitin 2022, kur familja jetonte në Heraklion të Kretës, Esma Meço kishte kallëzuar bashkëshortin për kanosje. Ai u arrestua por më pas u la i lirë.

Ndaj 53-vjeçarit janë ngritur akuzat për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të ligjit për armët, ndërsa hetimet e autoriteteve greke vijojnë.


Lajmi kryesor:

Tjetër tragjedi në Greqi, shqiptari vret gruan me thikë ditën e ditëlindjes së vajzës! Pi benzinë për t’i dhënë fund jetës por shpëton! Një nga fëmijët njoftoi policinë (EMRAT)