Përfaqësuesit e bizneseve në Vlorë janë sërish të pakënaqur në lidhje me masat anti-COVID, ndërsa kanë dalë sot përpara komisariatit të policisë Vlorë.

Ata kanë zhvilluar një takim me shefin e komisariatit Vlorë, ku kanë biseduar për orarin e muzikës dhe të mbajtjes hapur të lokaleve. Ervin Sota, përfaqësues biznesi në Vlorë thekson se ata do të qëndrojnë të palëkundur nga kërkesat e tyre që muzika të lejohet deri në ora 24 të mbrëmjes teksa edhe orari i mbylljes së restoranteve dhe bareve të jetë deri në orët e para të mëngjesit.

Vetëm pak javë më parë, pronarët e bizneseve në Vlorë u ngritën në protesta, duke mbyllur aktivitetet e tyre përgjatë Lungomares në kulmin e sezonit turistik. Ndonëse Komiteti Teknik i Ekspertëve zgjati me një orë orarin e lejuar të muzikës, ky vendim nuk i kënaqi pronarët e bizneseve, duke kërkuar shtyrjen e këtij orari edhe me një orë.

Megjithatë, në një reagim në lidhje me kërkesat e tyre, kryeministri Edi Rama tha se masat e vendosur nuk do të ndryshojnë.