Anëtarët e Bashkimit Evropian, po hartojnë me nguti planin për reduktimin e konsumit të energjisë për shkak të frikës nga mungesat që kërcënojnë në dimër. Rezervat e gazit në BE aktualisht janë plot 71 për qind, rreth 9 për qind më pak sesa objektivi i vendosur nga BE-ja në fillim të kësaj vere.
Vendet anëtare janë zotuar të reduktojnë kërkesat e tyre për gaz me 15 për qind deri në mars, si pjesë e masave preventive. Aksionet nuk janë të njëjta në të gjitha vendet e BE-së. Në Gjermani, ndalesa për gazin rus do të godiste rëndë industrinë dhe do të ndikonte në aftësinë e njerëzve për t’u ngrohur në shtëpitë e tyre.
Në Suedi dhe Finlandë, ku gazi përbën një pjesë më të vogël të skemës së përgjithshme të energjisë, ndikimi do të ishte më pak drastik. Një numër i vendeve në rrezik, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kanë prezantuar plane për reduktimin e konsumit të energjisë.
“Kjo do të ketë ‘ndikim të madh’ në reduktimin e konsumit në BE”, tha Antonin Chapelot, udhëheqës politik i organizatës joqeveritare Koalicioni për Kursimet e Energjisë. Ai theksoi se përveç masave të menjëhershme që synojnë t’i mbijetojnë dimrit, qeveritë do të duhej gjithashtu të ndërmarrin hapa afatgjatë, siç është rinovimi i ndërtesave duke i bërë ato më efikase në energji, dhe kalimi në teknologjitë e ngrohjes qendrore që janë më të pranueshme për mjedisin.
Rregullorja e Komisionit Evropian kërkon reduktim prej 15 për qind të konsumit të gazit në periudhën e dimrit, dhe i lejon vendet anëtare të përcaktojnë masat që duhet të arrijnë këtë qëllim. Masat dhe planet aktuale të vendeve të caktuara të BE-së janë analizuar dhe renditur nga Politico.
Franca
Nga mesi i korrikut, Franca zbuloi planin e “energjisë së pastër”. Shumica e masave janë ende në fazën e draftit dhe pritet të prezantohen në fund të tetorit. Agnes Pannier Runacher, ministër e Energjisë, paralajmëroi se autoritetet synojnë t’ua ndalojnë dyqaneve që t’i lënë dyert e tyre të hapura gjatë përdorimit të pajisjeve të ngrohjes dhe për ajër të kondicionuar.
Plani gjithashtu ka për synim të ndalë funksionimin e reklamave me ndriçim në të gjitha qytetet nga ora 1 deri në 6 të mëngjesit. Kjo masë tashmë është futur në qytetet me më pak se 800 mijë banorë. Parisi pritet të reduktojë konsumin e energjisë për 10 për qind në krahasim me periudhën 2019. Ndryshe Franca importon rreth një të pestën e gazit natyror nga Rusia.
Spanja
Spanja filloi qasjen më radikale se vendet e tjera të BE-së. Tashmë ka nxjerrë një dekret që detyron kompanitë të vendosin kondicionerin në 27 gradë Celsius gjatë verës dhe ngrohjen në 19 gradë gjatë dimrit. Qeveria urdhëroi dyqanet të instalojnë brava automatike për të parandaluar që dyert të mbeten të hapura derisa ngrohja është e ndezur, dhe gjithashtu për t’i mbajtur pa ndriçim vitrinat e dyqaneve nga ora 22:00. Familjet aktualisht nuk janë të detyruara të respektojnë këto masa.
Spanja merr vetëm rreth 10 për qind të gazit nga Rusia. Pavarësisht kësaj, qëndrimi i spanjollëve është se masat mund të ulin konsumin e gazit dhe naftës për 5 për qind në një afat të shkurtër, gjë që do t’i afronte ata me objektivin për ta ulur konsumin e energjisë prej 7 për qind deri në marsin e vitit të ardhshëm.
Gjermania
Gjermania është më varura nga gazi rus dhe një nga përkrahësit më të zëshëm të kursimeve. Megjithatë, akoma nuk ka ndonjë plan detyrues për ta reduktuar konsumin e energjisë. Në fund të korrikut, u dhanë një sërë rekomandimesh, disa prej të cilave do të jenë ligjërisht të obligueshme.
Qeveria i ka bërë thirrje përdoruesve të ndërtesave publike dhe të biznesit, të ndalin ngrohjen e “dhomave ku njerëzit nuk kalojnë pjesën më të madhe të kohës”, si dhe nëpër korridore dhe salla të mëdha. Industritë e mëdha si dhe familjet, ftohen të kursejnë, në mënyrë që të ruajnë temperaturën minimale në apartamentet e tyre.
Ministri gjerman i ekonomisë, Robert Habeck, shpalli javën e kaluar rregullore të reja që kanë të bëjnë me kursimin e energjisë. Ngrohja në objektet publike do të lejohet në maksimum 19 gradë Celsius, ndërtesat dhe monumentet nuk do të ndriçohen gjatë natës sikurse edhe reklamat.
Duke marr parasysh se nuk ka rregullore të përbashkëta, shumë qytete dhe provinca gjermane kanë miratuar masat e tyre, siç është reduktimi i ndriçimit të rrugëve dhe vendosja e kufijve të temperaturës në ndërtesat publike.Berlini do të fikë reflektorët që ndriçojnë 200 ndërtesat dhe monumentet historike, ndërsa Bavaria zbuloi planin e saj për të kursyer energjinë në ndërtesat e administratës publike.
Italia
Ashtu si Gjermani, Italia është shumë e varur nga gazi rus me rreth 40 për qind të importimit nga Moska vetëm gjatë vitit të kaluar. Ky vend deri më tani nuk ka miratuar ndonjë plan të përbashkët. Ministri i Mjedisit, Roberto Cingolani, tha se nuk do të ketë shkurtime drakoniane të shpenzimeve, por më pas qeveria njoftoi në korrik se po harton një plan shtrëngues emergjent që mund të përfshirë kufizimin e ngrohjes në 19 gradë Celsius gjatë dimrit dhe ftohjen në 27 gjatë verës, duke reduktuar ndriçimin e rrugëve gjatë natës dhe mbylljen e hershme të dyqaneve.
Plani i Italisë është reduktimi i kërkesave për gaz për 7 për qind, deri në mars të vitit të ardhshëm, duke rritur pjesërisht prodhimin e energjisë me qymyr. Cingolani është i bindur se Italia nuk do të ketë asnjë problem deri në shkurt, edhe nëse Rusia mbyll plotësisht furnizimin me gaz.
Polonia
Polonia nuk ka miratuar ndonjë plan kombëtar të kursimit të energjisë. Atje, furnizimi i gazit rus tashmë është pezulluar dhe polakët janë më të shqetësuar për mungesën e qymyrit. Në korrik, kryeministri Mateusz Morawiecki u bëri thirrje qytetarë të izolojnë sa më mirë shtëpitë e tyre para se të fillojë sezoni i ngrohjes.
Ai njoftoi se shteti do të japë miliarda subvencione familjeve, për një izolim më të mirë dhe blerjen e sistemeve të “pastra” të ngrohjes. Ekspertët e energjisë druajnë se vendit do t’i mungojë një deri në dy milionë tonelata qymyr këtë dimër.
Deri më tani, Polonia ka plotësuar rreth 40 për qind të nevojave për gaz nga importi i Rusisë, por gazi mban 9 për qind të shportës së tyre të energjisë.
Çekia
Deri më tani ata kanë nxjerrë vetëm një “doracak” për kursimin e energjisë. Ndryshimet në rregullore thuhet se janë në përgatitje e sipër, që përfshijnë shkurtimin e sezonit zyrtar të ngrohjes, që rregullon periudhën kohore gjatë së cilës energjia termike duhet të shpërndahet në ndërtesa. Republika Çeke është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, ku shumica e saj shkon në industri dhe rreth një e katërta përdoret për ngrohjen e familjeve.
Konsumi mesatar i gazit për kokë banori është 20 për qind më i lartë se mesatarja e BE-së, që do të thotë se ulja e kërkesës mund të ketë një ndikim të madh. Çekia ka njoftuar se do të rrisë prodhimin e qymyrit në raste emergjente dhe tani pret më shumë dërgesa të gazit natyror nga Holanda./Telegrafi