Masat e qeverisë për rritjen e çmimeve, Partia e Lirisë: Nuk luftohet varfëria me ‘Paketë thërrimesh’! Vetëm indeksimi me ligj i pagave garanton të ardhura

 

Partia e Lirisë ka reaguar në lidhje me paketën e dytë anti-krizë të propozuar nga qeveria ditën e sotme. Duke cilësuar si ‘Paketë Thërrimesh’, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushit tha se vetëm indeksimi me ligj i pagave garanton më shumë të ardhura dhe më shumë mirëqenie për punonjësit e administratës dhe familjet e tyre.

‘Pagat në administratën publike nuk janë rritur nga muaji mars i vitit 2017, përjashtuar pagat e arsimtarëve dhe të mjekëve.  Duke mos i rritur pagat për punonjësit e sektorit shtetëror apo duke i rritur në mënyrë të diferencuar Qeveria ka shkelur hapur parimin e përfitimit, që duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.  Jo vetëm kaq, por Qeveria ka shkelur hapur edhe detyrimin e saj për të mbrojtur nivelin e jetesës së nëpunësve publikë në kushtet kur rritja abuzive e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonomitë familjare, që e ka bërë koston e jetesës së përballueshme.

Nga viti 2017, kur pagat në administratë kanë ngelur njësoj, çmimet kanë kaluar vit pas viti në stratosferë. Referuar vetëm 8 muajve të fundit çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur progresivisht, duke kapur nivele dyshifrore:

  • 6.7% rritje në janar
  • 6.9% rritje në shkurt
  • 9.5% rritje në mars
  • 9.9% rritje në prill
  • 11.4% rritje në maj
  • 12.6% rritje në qershor
  • 13.3% rritje në korrik.

Në kushtet kur çmimet e larta kanë rritur ndjeshëm nivelin e varfërisë në vend dhe po rrënojnë si kurrë më parë ekonomitë familjare, miratimi sa më parë i nismës së Partisë së Lirisë për indeksimin me ligj të pagave, jo vetëm do të garantonte qëndrueshmërinë e të ardhurave të punonjësve të administratës por do të jetë edhe një masë tepër efektive për përballimin e kostove të larta të jetesës.

Në thelb të propozimit të Partisë së Lirisë qëndron:

Rritja e pagës për administratën çdo vit në datën 1 korrik, duke marrë për bazë rritjen reale ekonomike të vitit paraardhës.

Indeksimi i pagës për administratën çdo vit duke marrë për bazë ndryshimin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Rritja e pagës minimale të bëhet çdo vit në datën 1 korrik, duke marrë për bazë rritjen reale ekonomike të vitit paraardhës.

Indeksimi i pagës minimale në shkallë vendi të bëhet çdo vit në bazë të ndryshimit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Rritja reale dhe indeksimi i pagave, sipas projektligjit të depozituar në Kuvend nga Partia e Lirisë do të sjellë efekte tepër pozitive ekonomike dhe sociale të qëndrueshme sepse:

Mbron punonjësit nga rritja e çmimeve.

Nuk lejon uljen reale të pagës dhe si rrjedhim të fuqisë blerëse.

Nxit rritjen e konsumit dhe ndikon pozitivisht në rritjen ekonomike.

Mundëson rritjen e të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duke mundësuar përmirësimin e bilancit. Ul korrupsionin. Partia e Lirisë, si avokate dhe mbrojtëse e flaktë e interesit qytetar, i bën thirrje Kuvendit ta shqyrtojë menjëherë dhe ta votojë me unanimitet këtë projektligj të rëndësishëm, që mbron qytetarët nga varfëria. Administrata publike është lodhur nga mashtrimet dhe "thërrimet" që u ndan Qeveria, që ka pesë vite që nuk ka nxjerrë një vendim në interes të tyre! I bëjmë thirrje të gjithë punonjësve dhe nëpunësve të administratës publike të vrasin frikën dhe të kërkojnë me guxim miratimin e ligjit të propozuar nga Partia e Lirisë, e vetmja nismë konkrete që ju garanton më shumë të ardhura dhe më shumë mirëqenie për ta dhe familjet e tyre!’- tha Blushi.


Lajmi kryesor:

Paketa e qeverisë për krizën, opozita: Zero mbështetje konkrete, vetëm 50 mln euro me ndryshim buxheti! Ministrja: Janë 43 miliardë lekë


M.Q./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave