Policia e Tiranës ka publikuar masat e marra për sfidën derbi mes Tiranës dhe Partizanit e cila do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 18:00. Siç është e bërë e ditur tashmë uniformat blu do të jenë të pranishme vetëm jashtë stadiumit, ndërsa në rast prishje të rendit brenda tij atëherë do të bëhet ndërhyrja.
Në masat e marra nga polcia bie në sy bllokimi I disa rrugëve, kryesisht ato pranë stadiumit, ndërsa me kohë të pjesshme do të bllokohen rrugët të cilat do të kalojnë tifozët gjatë momentit që bëhet nisja për në “Selman Stërmasi”.
Gjithashtu do të behen kontrrole në hyrje të stadiumit për sende të kundraligjshme (si armë apo lëndë piroteknike), ndërsa nuk do të lejohet asnjë tifoz pa mjet identifikimi. Personat nën moshën 16 vjeç do të futen në stadium vetën nëse shoqërohen nga të rritur.
Policia e Tiranës në fund kërkon bashkpunimin dhe mirëkuptimin e tifozëve dhe qytetarëve.
Njoftimi i Policisë së Tiranës
Policia e Tiranës, masa për zhvillimin e ndeshjes “Tirana-Partizani”.
Në zbatim të ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, Ligjit Nr. 79/2017, për “Sportet” Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit gjatë zhvillimit të ndeshjes “Tirana-Partizani” e cila do të zhvillohet ditën e sotme, rreth orës 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në ambientet e jashtme të stadiumit, si dhe përgjatë rrugë kalimeve të tifozërive.
Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ.
Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundraligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj), si dhe çdo tifozë duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.
Do të ketë bllokime të disa segmentëve rrugor, si dhe bllokime të pjesëshme të disa segmentëve rrugor (momenti i kalimit të tifozërive).
Segmentet Rrugorë që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitet, janë :
– Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”
– Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me Rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”