Teksa po afrohen festat e fundvitit, policia ka shtuar masat për mbrëmjen e ndërrimit të viteve për të parandaluar ngjarjet kriminale duke shtuar prezencën e forcave policore. Po ashtu do të ketë më shumë sportele që punojnë në pikat e kalimit kufitar duke qenë se ka fluks emigrantësh që kthehen në atdhe.
Masat e marra:
-Rritja e sigurisë në komunitet, në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë.
-Parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, kontrolli ndaj personave me precedentë kriminalë, i automjeteve të tyre, si dhe i ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative.
-Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale, dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
-Shtimi i sporteleve dhe i burimeve njerëzore, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, bashkëpunim i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e rradhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit.
-Rritja e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimi i patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
-Monitorimi i akseve rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore;
-Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarre dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese.
-Rritja e prezencës së shërbimeve të Policisë, në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve.
-Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll, të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh.
-Në vijim, për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë organizuar shërbime policore shtesë, në banka, zyra të këmbimit valutor, tregje dhe objekte të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.
-Strukturat e Policisë po bashkëpunojnë edhe me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.
-Ndërkohë shërbimet e lëvizshme operacionale (FLO) të Policisë së Shtetit, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme.