TIRANE - Karta e Studentit duket se ka qenë thjesht një premtim elektoral i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pasi kjo kartë nuk është ende aktive. Kjo kartë duhet të ishte funksionale që në fillim të vitit akademik, por edhe pse po vjen fundi i vitit akademik karta që studentët kanë tërhequr nuk u ka shërbyer për asgjë.

Në lidhje me këtë çështje zyrtarë nga Bashkia e Tiranës thonë, që ajo është aktive, ndërsa studentët thonë të kundërtën e kësaj. Erisa.H studente në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë shprehet se Karta e Studentit nuk i ka shërbyer për asgjë, edhe pse ajo ka gati 3 muaj që e ka marrë atë.

“Unë e kam marrë Kartën e Studentit, që në janar dhe deri tani nuk më ka shërbyer për asgjë, përveçse se më ka zënë një vend në portofol” shprehet studentja. Më tej studentja shprehet se ka provuar që të shkojë në muze me Kartën e Studentit, por nuk ka pasur asnjë efekt.

“E kam përdorur për të shkuar në muze, kam tentuar ta përdor për të udhëtuar me autobusët e linjës, qytetit, por e kotë. Ajo nuk më ka shërbyer për asgjë” tregon Erisa. Të njëjtën gjë na thotë edhe një studente tjetër, e cila e ka marrë kartën para 2 muajsh. Denisa M. studente në Universitetin Politeknik të Tiranës, tregon “Kur e mora kartën për herë të parë e përdora për të udhëtuar me autobus, por fatorino më tha “Çfarë e ke këtë” thotë studentja.

Në lidhje me çështjen e Kartave të Studentit, nga Bashkia e Tiranës na thonë që Karta e Studentit është aktive. “Karta ka kohë që është aktive” thonë zyrtarë nga bashkia. Ndërsa te sporteli i bashkisë ku bëhen edhe aplikimet për kartën, shprehen se “Karta nuk është bërë ende aktive sepse nuk ka përfunduar marrëveshjet me subjektet ku do të aplikohen lehtësirat për studentët”- thotë punonjësja.

Ndonëse nga Bashkia e Tiranës, nuk e pranojnë që karta e studentit, nuk është aktive, ata që e vuajnë mosmbajtjen e premtimit nga Lulzim Basha janë studentët, të cilëve u duhet të mbajnë edhe një karton më shumë kot. Kryetari i Bashkisë në nëntor të vitit 2011, kur prezantoi kartën e studentit si arritje e 100-ditëshit të parë të tij u shpreh “Ashtu siç premtova, 100-ditëshi i parë shënonte si një objektiv kryesor përfundimin e përgatitjeve për Kartën Bashkiake të Studentit”, tha Basha.

Ai gjatë prezatimit të saj tha se përfitimet janë në Transport publik falas, hyrjen falas në Muze, Galerinë e Arteve në TOB. Në stadiumin “Qemal Stafa”. Në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Tarifa zero: Me Postën Shqiptare, me Shoqatën e Bankave, me Bankën e Shqipërisë”. Por ky duket se ka qenë një nga premtimet e radhës të pambajtur nga ana e kryetarit të bashkisë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)