Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia e Korçës për mashtrim. 28 vjeçari me inicialet J.M u vu në pranga pasi mashtroi 6 qytetarë duke iu marrë shuma parash si edhe vodhi lekë në një restorant. Policia e arrestoi në një banesë të braktisur në lagjen nr.4 të qytetit pas kallëzimit të bërë nga qytetarët që ranë pre e mashtrimit të tij.

Sipas policisë, 28-vjeçari ishte në kërkim pasi kishte mashtruar disa persona me të cilët kishte njohje familjare dhe shoqërore, dhe me pretendime të ndryshme iu kishte marrë shuma të ndryshme parash. Gazetari Armand Braho raporton se ai iu kërkonte me pretendimin se kishte probleme shëndetësore.

Po ashtu, me datë 8 nëntor kishte hyrë në ambientet e një restoranti duke vjedhur te kasa 70 mijë lekë. Policia ka publikuar edhe videon kur i riu hyn brenda restorantit dhe kryen vjedhjen. 

Njoftimi i policisë: 

Mashtroi 6 shtetas, duke u marrë shuma lekësh dhe vodhi një shumë lekësh në një restorant,  kapet në një banesë të braktisur në lagjen nr. 4, Korçë, dhe vihet në pranga 28-vjeçari, i cili ishte i shpallur në kërkim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, në lagjen nr. 4, Korçë, organizuan punën për kapjen e tij.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mashtrimi”, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit J. M., 28 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi më datën 21.10.2025, disa shtetas kishin bërë kallëzim, sipas të cilëve 28-vjeçari, me të cilët kishte njohje familjare e shoqërore, i kishte mashtruar me pretendime të ndryshme, duke u marrë shuma të ndryshme parash.

Gjithashtu, më datën 08.11.2025, ky shtetas, në lagjen nr. 7, Korçë, ka hyrë në ambientet e një restoranti dhe ka vjedhur nga kasa një shumë lekësh prej 70.000 lekësh, e më pas është larguar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.