Skema mashtrimi me mikrokredite, Banka e Shqipërisë revokon licencën e 'Micro Credit Albania' dhe 'Final', dy administratorët në hetim

Skema mashtrimi me mikrokredite, Banka e Shqipërisë revokon licencën e 'Micro Credit Albania' dhe 'Final', dy administratorët në hetim

TIRANE- Banka e Shqipërisë, mori sot vendim për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k

Vendimi erdhi pasditen e sotme, pasi prokuroria e Tiranës njoftoi se kishte nisur hetim ndaj nëntë personave, mes tyre dhe administratores së Micro Credit Albania, Elda Ibro, dhe administratorit të subjektit "Final' Arben Meskuti nën dyshimin se kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra apo përmes shantazhimit të tyre duke i bllokuar pronat e luajtëshme apo të paluajtëshme.

Sipas njoftimit të publikuar sot në faqen zyrtare të BSH-së, vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë bazohet në dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licencave kur subjektet e licencuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licencuar.

“Në rastet e sipërcituara, për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licenca, me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht”, thuhet në vendimin e BSH

Për të dyja subjektet financiare BSH kishte pezulluar licencen me vendimin nr. 644, datë 6.2.2024. 

Më tej Banka e Shqipërisë thotë se po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”.

Subjekti financiar jobankë “Micro Credit Albania” sh.p.k ka 15.942 klientë, 90% e të cilëve janë në sekuestro me vendim të formës së prerë. Ndërkohë Kompania 'Final' ka 16600 klientë, 90% e tyre janë në sekuestro preventive. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve.

Sipas prokurorisë MCA bleu gati 4 mijë kredi të pashlyera nga një bankë e nivelit të dytë me vlerë totale 7.2 milionë euro. Për likuidimin e kredive të blera MCA, dyshohet se ka përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera”

Revokimi i licences i Microcredit Albania

"Në bazë dhe për zbatim të rregullores nr. 01, datë 17.01.2013 "Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka", e ndryshuar, neni 10, pika 1, shkronja "a", një nga kriteret që duhet të plotësojnë në vazhdimësi subjektet financiare jobanka gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, është që themeluesit e subjektit të kenë reputacion të mirë.
Bazuar në informacionin e marrë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me shkresën me nr. prot. 12287/1, datë 23.05.2024, jemi vënë në dijeni të faktit se ndaj ortakut të vetëm të subjektit financiar jobankë "MICRO CREDIT ALBANIA" sh.p.k., Elda Ibro, është vendosur masa e sigurimit personal "arrest në shtëpi” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Mbështetur në sa më sipër, Departamenti i Mbikëqyrjes vlerëson se jemi në kushtet e parashikuara në nenin 14, pika 1, shkronja "h", të rregullores së mësipërme, cit.: ".... Banka e Shqipërisë mund të pezullojë ose revokojë licencën e subjektit financiar jobankë, në rast se nuk  përmbush më kushtet në bazë të të cilave ai është licencuar", dhe propozon revokimin e licencës së subjektit "MICRO CREDIT ALBANIA" sh.p.k"  informon Banka e Shqipërisë.

Në përfundim, duke vlerësuar se propozimi i Departamentit të Mbikëqyrjes është i argumentuar, bazuar në nenin 14, pika 1, shkronja "h" të rregullores "Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka", miratuar me vendimin nr. 01, datë 17.01.2013 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e ndryshuar, si dhe të shtojcës nr.3, pika 4 të rregullores "Për përcaktimin e nivelit të vendimmarrjes në mbikëqyrjen e veprimtarive bankare dhe financiare", miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës nr.36, datë 26.05.2010, i ndryshuar;
VENDOSA:
1. Revokimin e licencës së aktivitetit të shoqërisë "MICRO CREDIT ALBANIA" sh.p.k. për kryerjen e të gjitha formave të kredidhënies dhe shërbimet këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse për veprimtarinë e kredidhënies.

Revokimi i licences i "Final" 

Bazuar në informacionin e marre nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë me shkresën me nr. prot. 12287/1, datë 23.05.2024, jemi vënë në dijeni të faktit se ndaj ortakut të vetëm të subjektit financiar jobankë "FINAL" sh.p.k., Arben Meskuti, është vendosur masa e sigurimit personal "arrest me burg" nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Mbështetur në sa më sipër, Departamenti i Mbikëqyrjes vlerëson se jemi në kushtet e parashikuara në nenin 14, pika 1, shkronja "h", të rregullores së mësipërme, cit.: ".... Banka e Shqipërisë mund të pezullojë ose revokojë licencën e subjektit financiar jobankë, në rast se nuk përmbush më kushtet në bazë të të cilave ai është licencuar", dhe propozon revokimin e licencës së subjektit "FINAL" sh.p.k. Në përfundim, duke vlerësuar se propozimi i Departamentit të Mbikëqyrjes është i argumentuar, bazuar në nenin 14, pika 1, shkronja "h" të rregullores "Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka", miratuar me vendimin nr. 01, datë 17.01.2013 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e ndryshuar, si dhe të shtojcës nr.3, pika 4 të rregullores "Për përcaktimin e nivelit të vendimmarrjes në mbikëqyrjen e veprimtarive bankare dhe financiare", miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës nr.36, datë 26.05.2010, i ndryshuar;
VENDOSA:
1. Revokimin e licencës së aktivitetit të shoqërisë "FINAL" sh.p.k. për veprimtarinë e qirasë financiare dhe krverien e të gjitha formave të kredidhënies.

Lajmi  ne perditesim...

Vendimi mbi revokimin e licencës së subjektit MCA

Vendimi mbi revokimin e licencës së subjektit FINAL

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan