Të gjithë të interesuarit që duan të çojnë më tekj studimet e larta, kanë afat deri ditën e premte për të aplikuar për master profesional, master shkencor dhe master me kohë të pjesshme. Sekretaritë e fakulteteve kanë hapur regjistrimet. Ndërkohë që universitetet kanë afat deri në fillim të nëntorit për të mbaruar të gjitha procedurat e nevojshme, pra edhe për të shpallur fituesit, pasi procesi i mësimit edhe për këtë kategori fillon me datë 7 tetor.

Sipas vendimit të qeverisë, janë miratuar plot 10.860 kuota të reja për ciklin e studimeve master shkencor/master i arteve të bukura, cikël studimesh që zgjat dy vite akademike dhe ka 90-120 kredite; 9492 kuota për ciklin e studimeve master profesional. Ky cikël studimesh zgjat një vit akademik dhe ka 60 kredite. Për të tretin vit me radhë, në universitetet publike aplikohet edhe masteri me kohë të pjesshme, i cili ka 50 kredite. Qeveria ka miratuar për vitin akademik 2013-2014, plot 4.710 kuota të reja për të gjithë të interesuarit që duan të nisin studimet e larta në master profesional me kohë të pjesshme.

Shkrimi u publikua sot (24.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)