MAT -  Një 18-vjeçar është arrestuar në Mat pasi ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur 3 shtetas.

Mbrëmjen e sotme policia e Matit ka arrestuar Sabah Mustafa Nuzi pasi në datë 16.11.2012 në qytetin e Burrelit ka qëlluar me armë zjarri pistoletë duke plagosur Arbër Xhavit Mata, 34 vjeç, banues në qytetin e Burrelit, Martin Gjokë Rica 18 vjeç, banues në fshatin Bushkash të rrethit Mat, Gjokë Gjin Rica 53 vjeç, banues në fshatin Bushkash të Rrethit Mat.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të dates 16.11.2012 në qytetin e Burrelit, në afërsi të spitalit të qytetit, ku shtetasi Sabah Nuzi pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasit e mësipërm ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të tyre, ku për pasojë ka mbetur i plagosur fillimisht shtetasi Arbër Mata.

Rreth 4 orë më vonë të ditës së djeshme Nuzi në vendin e quajtur “ish-agjencia” e qytetit të Burrelit ka qëlluar me armë zjarri pistoletë edhe shtetasit Martin Rica dhe Gjokë Rica, të cilet kanë mbetur të plagosur.

Pasi ka qëlluar me armë zjarri 18-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vetëm gjatë ditës së sotme forcat e policisë në Mat kanë arritur të bëjnë kapjen dhe ndalimin e autorit të ngjarjes.

Tre të dëmtuarit e kësaj ngjarje kanë marrë plagë në gjymtyrët e tyre dhe aktualisht ndodhen në spitalin e Burrelit jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë që 18-vjeçari Sabah Nuzi po procedohet më tej për veprat penale “Vrasje me dashje mbetur në tentative”, “Vrasje me paramendim mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

(eç/shqiptarja.com)