TIRANË - Sokol Dema dhe Fatjon Softa diskutuan në 'Studio Live' mbi zbulimin e aplikacionit ‘Matrix’ nga autoritetet e huaja dhe ç’kodimi i saj që mund të çoj në burimin e krimit edhe në Shqipëri.
Gazetari Dema përmendi se Nuredin Dumani kishte përdorur aplikacionin për komunikim me Suel Çelën për një vrasje, dhe se autoritetet ndërkombëtare kanë zbuluar se gjuha shqipe ishte përdorur në mesazhe.
'Nuk është i panjohur Matrix për autoritetet tona. Nuredin Dumani e ka përmendur se ka marrë komunikimi me Suel Çelën për të vrarë drejtorin e një shkolle private, me anë të një komunikimi në Matrix. Hetimi nëse po përdoret nga grupet kriminale ka zgjatur disa vite. Kanë qenë disa agjenci europiane që kanë hetuar dhe vende të BE-së. Në fund të hetimeve është vendosur ndërhyrja dhe arrestimi, por më kryesorja dekodimi i disa mesazheve. Europol ka konfirmuar që është edhe gjuha shqipe. Sekuestrimi i 40 serverave në Gjermani dhe Francë do sjell materiale në vijim.'
Ndërsa eksperti i sigurisë, Fatjon Softa shtoi se aplikacioni ishte i komplikuar dhe përdorte telefona të shtrenjtë, ndërsa pagesat bëheshin me kriptomonedha.
'Nga sistemet më të komplikuara për të shmangur depërtimin e institucioneve ligjzbatuese. U përdor teknologji, ku janë telefonë të prodhuar në Maltë, që kanë 1350-1700 dollarë dhe pagesat bëheshin në kriptomonedha. Aplikacioni ka qenë i para instaluar. Përdorimi nuk ishte i lehtë, u ngrit një task-forcë nga disa vende. Sistemi Matrix ka ndryshuar disa emërtesa. U përdor teknologji inovative që bëri të mundur depërtimin deri në sekuestrimin 40 serverave. Ka materiale pa fund nga viti 2021. Për 3 muaj numri i mesazheve të marra ka qenë 2.3 mln mesazhe. Një pjesë e njerëzve që janë marrë me krime, shitja dhe trafikimi i telefonave është përfitim. Nuk mungojnë shqipfolësit. Hetuesit kanë pasur informacion për ekzistencën e këtij aplikacioni. SPAK e ka raportuar tek partnerët e huaj një aplikacion të tillë.'
Hetimet, të cilat përfshinin disa agjenci europiane, rezultuan në sekuestrimin e 40 serverave në Gjermani dhe Francë, duke sjellë informacion të rëndësishëm për hetimet e mëtejshme.