Agjencia Kombëtare e Provimeve ka vendosur që këtë vit të gjitha procedurat e plotësimit të formularit A2, i cili përcakton degën se ku do të nisin studimet e larta të rinjtë do të bëhen në mënyrë elektronike. Sigurisht maturantët do të kenë mundësi që ta printojnë formularin dhe, edhe të ushtrohen për plotësimin e tij, por varianti i vlefshëm do të jetë vetëm ai që do të plotësohet on-line. Pikërisht për të udhëzuar shkollat se si do të mund të plotësohet këtë vit formulari A2, mënyrë kjo që aplikohet për herë të parë, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve u ka dërguar një udhëzim dhe kërkesë drejtorive arsimore për nevojat logjistike që kanë. Kështu, kreu i agjencisë kombëtare të provimeve, Alfons Harizaj i ka dorëzuar një kërkesë Drejtorisë Arsimore të Tiranës, që të njoftojë të gjitha shkollat e mesme private Maturë Shtetërore, të plotësojnë me rigorozitet kushtet e duhura në laboratorët me internet në shkollat e tyre. Kjo, për vetë faktin se është vendosur që aplikimi nga maturantët apo kandidatët i formularit A2 do të bëhet on-line. AKP-ja ka udhëzuar që të vihet në dispozicion një laborator i posaçëm që do të përdoret për aplikimin on-line të formularit A2. "Ky laborator duhet të jetë me të gjithë kompjuterët në gjendje pune si dhe të lidhur në internet", ka kërkuar Agjencia Kombëtare e Provimeve. Nga ana tjetër, agjencia që do të merret me procesin e Maturës Shtetërore ka kërkuar që në laborator të ketë një printer të konfiguruar si printer rrjeti dhe të furnizuar me toner (bojë printeri) dhe letër të mjaftueshme të formatit zyrtar A4. Bashkëngjitur me këto udhëzime, AKP ka kërkuar të dhëna nga shkollat, duke dërguar të dhënat e shkollës, numrin e nxënësve që do t'i nënshtrohen procesit të Maturës, e rrjedhimisht edhe të atyre që do të plotësojnë formularin A2, mjedisin ku do të zhvillohet aplikimi. Kjo e fundit kërkohet pasi mund të ketë shkolla që i plotësojnë kushtet për aplikim në mjediset e tyre dhe nuk kanë nevojë të zhvendosen. Të dhënat e tjera që kërkohen janë sasia e kompjuterëve që mjedisi i zgjedhur do të vërë në dispozicion të maturantëve /kandidatëve që do të aplikojnë. Gjithashtu, do të raportohet edhe në lidhje me shpejtësinë e internetit (Mbps), pra shpejtësia e linjës së internetit që disponon çdonjëra prej shkollave. Bëhet me dije se në momentin e plotësimit të formularin on-line do të ketë të pranishëm mësues të cilët do të udhëzojnë nxënësit se si të mos bëjnë gabime. Ata do të shkruajnë gjeneralitetet e plota, të dhënat e kërkuara, por më shumë kujdes duhet të kenë në momentin që zgjedhin degët që preferojnë. Udhëzimi9 i plotë për plotësimin pikë për pikë të formularit të preferencave pritet të publikohet në fund të muajit qershor, kohë kur edhe do të bëhet publik ky dokument i rëndësishëm. Mësohet se lista preferenciale do të vazhdojë të ketë 10 degë, duke filluar sipas një rendi zbritës, nga numri 1 që është dega më e preferuar, e duke vazhduar me degët më pak të preferuara nga maturanti, kandidat për t'u pranuar në universitetet publike të vendit. Mësohet se në listë nuk do të jenë ata që kanë aplikuar për jashtë shtetit, pasi në formularin A1 kanë shënuar "dua të aplikoj për studime jashtë shtetit". Pritet që numri i maturantëve-kandidatë, të jetë rreth 48 mijë, duke shtuar këtu edhe aplikantët që e kanë përfunduar maturën shtetërore gjatë viteve të kaluara.
(sg/shqiptarja.com)