“Mbi 26.600 maturantë kanë nisur këtë të martë të 2 qershorit provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj.”

Për 2 orë e 30 minuta, maturantët plotësuan testin, duke shënuar nisjen zyrtare të një prej proceseve më të rëndësishme të arsimit parauniversitar.

Jashtë ambienteve të shkollave, emocionet ishin po aq të forta. Prindërit prisnin me ankth përfundimin e testit për të mësuar përshtypjet e para të fëmijëve të tyre.

Për shumicën e maturantëve, provimi i parë rezultoi i një niveli mesatar, megjithatë ata shprehen optimistë.

“Ishte i nivelit mesatar. Kishte ushtrime me shkallë vështirësie për notën më të lartë. Por shkoi shumë mirë si provim i parë” u shpreh një nxënëse.

“Mesatar ishte, por nëse mëson edhe e kap 10-tën” tha një nxënës.

“Nëse i kishe përsërit ato që të kishte dhënë zysha, ishte e menaxhueshme. Por kishte disa gjëra që ishin të ngatërruara” u shpreh nxënësja.

“Ishte mesatar, por normale se disa pyetje bënin diferencën për nivelin më të lartë, por ishte i përballueshëm” deklaroi një tjetër.

“I bëmë të gjitha dhe urojmë të kemi dalë sa më mirë”.

Përtej sfidës së provimeve, të rinjtë kanë nisur të mendojnë edhe për hapin e radhës, atë të studimeve universitare.

"Do studioj gazetari", shprehet një maturante.

"Ekonomi" thotë një maturant.

“Kam shumë dëshirë të studioj për mjekësi”, thotë një tjetër.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur tezat e provimeve qarkullonin në rrjetet sociale vetëm pak minuta pas nisjes së testimit, këtë vit nuk u raportuan raste të tilla. Ministria e Arsimit kishte paralajmëruar më herët masa të ashpra ndëshkuese si për maturantët që shkelin rregullat, ashtu edhe për stafet administruese.

Në të gjithë vendin janë 144 qendra provimi në shkolla. Mbarëvajtja e procesit do të mbështetet nga 2087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve të Maturës Shtetërore.

Provimet e Maturës Shtetërore do të vijojnë më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllen më 23 qershor me provimin.