Teksa jemi në prag të provimeve të Maturës Shtetërore, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka ndarë sot, një postim në rrjetet e saj sociale ku rikujton rregullat për nxënësit.

Sipas njoftimit, maturantët duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30, ndërsa çdo provim nis në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30.

Ndërkohë, ndalohen rreptësisht telefonat celularë dhe orët smart gjatë zhvillimit të testimit.

Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi, kartë ID ose pasaportë, dy stilolapsa, vizore të vogël, makinë llogaritëse të thjeshtë, si dhe një shishe me ujë.

Për sa i përket veshjes, kërkohet uniforma e shkollës, ndërsa në mungesë të saj lejohet bluzë dhe xhinse.

“Provimet e Maturës Shtetërore 2026! Çfarë nuk lejohet!

Ndërsa edhe pak ditë kanë mbetur nga përgatitjet për provimet e maturës, është e rëndësishme të rikujtojmë së bashku se:

Është rreptësisht e ndaluar që gjatë kohës së provimit të keni me vete telefona, orë smart e çdo pajisje tjetër të lidhur inteligjencën artificiale

Ndalohen gjithashtu kopjet, bisedat me nxënës të tjerë dhe përdorimi i materialeve të tjera të palejuara.

Për t’ia dalë mbanë me sukses, mbështetuni tek përgatitja, përsëritja dhe besimi tek vetja juaj”, shkruhet në postimin e publikuar.

Provimi i parë që maturanët do t’i nënshtrohen është ai i gjuhës së huaj, që do të jetë më 2 qershor.

Ndërkohë në 9 qershor do të jetë ai i gjuhës shqipe, provimi i matematikës do të jetë më 16 qershor dhe ai i lëndës me zgjedhje më 23 qershor.

*Dokumenti i plotë për organizimin dhe zhvillimin e Provimeve të Maturës Shtetërore