“Zero tolerancë për këdo që shkel rregullat e maturës shteterore". Në prag të provimeve, ministria e arsimit paralajmëron masa ndëshkuese si për administratorët ashtu edhe për nxënësit.

Vetëm pak ditë na ndajnë nga nisja e provimeve të Maturës Shtetërore. Testi i parë, ai i gjuhës së huaj, do të zhvillohet më 2 qershor ku mbi 27 mijë maturantë do t’u drejtohen 144 qendrave të provimit, ndërsa 170 monitorues nga Ministria e Arsimit do të mbikëqyrin procesin.

Maturantët duhet të paraqiten në shkolla në orën 08:30, ndërsa provimet nisin në orën 10:00 dhe përfundojnë në 12:30. Ndërkohë, telefonat celularë dhe orët smart ndalohen rreptësisht gjatë testimit. Thyerja e rregullave sipas ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro do sjellë masa ndëshkuese.

“Çdo thyerje e rregullave do të sjellë automatikisht përjashtimin e nxënësit. Është një kosto që shpresoj që mos ta marrë askush. Është mirë që t’i paraprijmë këto masa. mana ndëshkuese do të kete dhe për admninistraoret që tolerojnë sjellje. sdo lejohet celulari as pajisje teknologjike”, tha Kumbaro.

Gjatë konferencës për shtyp ministrja komentoi edhe rishikimin e ligjit për arsimin e lartë, duke theksuar se ai duhet të përshtatet me zhvillimet teknologjike dhe kërkesat e tregut të punës.

 “Sot jemi përpara një objektivi tjetër të rëndësishëm për të ndërtuar frymën e së ardhmes, sepse realiteti i vitit 2015 nuk është realiteti i sotëm dhe jetojmë në dimensionin ku teknologjia na vë në sfida të tjera, ku globalizmi na vë në sfida të tjera, por sidomos pika ku ndodhet sot Shqipëria në momentin ku përgatitemi për tregun europian na vë në sfida të reja”, shtoi ajo.

Ndërsa për pezullimin e dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ministrja tha se bëhet fjalë për procedura që lidhen me ligjin e sistemit të drejtësisë dhe jo me funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë.

“Nuk është çështje që ka të bëjë me institucionin e arsimit të lartë”, tha Kumbaro.

Ministrja shtoi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet për kapitujt 25 dhe 26 të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhen me kërkimin shkencor dhe arsimin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
Programi ‘Pas Shkolle’, Kumbaro: Kemi dyfishuar pagesën për orë të çdo mësuesi që angazhohet në këtë projekt

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, gjatë konferencës me gazetarët u ndal edhe tek programi 'Pas Shkolle', i cili ka nisur pilotimin në 47 shkolla, 45 në Tiranë dhe 2 në Kamëz.

“Kjo fazë erdhi pasi për herë të parë me ndryshimin që bëmë në ligjin për arsimin parauniversitar, kemi përfshirë edhe nocionin 'Pas Shkolle', duke siguruar një bazë të mirë ligjore për ta çuar përpara këtë program; Po ashtu, me VKM që përgatitëm, dyfishuam edhe pagesën për orë të çdo mësuesi që angazhohet në këtë program, duke ofruar një shpërblim më dinjitoz; Nuk do të bëhet sot për nesër, por po ndërtojmë hap pas hapi themelet ku do të ngrihet në mënyrë solide ky program”, theksoi Ministrja Kumbaro.

Kumbaro theksoi se programet “Pas Shkolle” synojnë zhvillimin multidimensional të fëmijëve dhe zhvillimin e pasioneve të tyre.

“Dua ta theksoj: Programi 'Pas shkolle' për ne është shumë i rëndësishëm për ofrimin e gjithë mundësive të zhvillimit ndërdisiplinor të fëmijëve; jo vetëm një një vend ku prindërit mund t’I lënë fëmijët 2 orë apo 4 orë më shumë, me gjithë mirëkuptimin ndaj nevojave reale që kanë familjet pasi prindërit janë në punë dhe kanë angazhime profesionale, por programi 'Pas Shkolle', në vizionin e Ministrisë së Arsimit siç po e ndërtojmë, lidhet me zhvillimin multidimensional të fëmijvë, ofrimin e mundësive për të çuar përpara pasionet e tyre”, tha Kumbaro.