TIRANE - Formulari A1, deri tani është plotësuar nga rreth 34 mijë maturantë. Por ka ende të parregjistruar. Ministria e Arsimit ka konfirmuar se janë rreth 100 nxënës që  nuk kanë arritur të aplikojnë.

Për këta të rinj, ministria ka lënë edhe një javë afat. Ndërkaq janë edhe rreth pesë mijë të rinj që duan të ndjekin shkollën e lartë, por që mund ta kenë përfunduar maturën ose që nuk kanë ndjekur një shkollë të lartë pasi kanë pasur provime për të shlyer.

Këta kandidatë do të plotësojnë formularin A1Z, duke filluar që nga data 15 prill. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka hedhur udhëzimet për hapat që duhet të ndjekin maturantët bashkë me ilustrimet shpjeguese. Mbyllja e muajit maj shënon çeljen zyrtare të provimeve të Maturës Shtetërore 2013.

Konkretisht në datën 31 Maj maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të aplikojnë për pranimet në shkollat e larta publike të vendit, do t'i nënshtrohen provimit të parë të detyruar të maturës. Ndërsa provimet e lëndëve me zgjedhje do të zhvillohen në një ditë të vetme, përkatësisht më 29 qershor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja .com (print) 26.03.2013

Redaskia Onlone
(b.m/shqiptarja.com)