TIRANE - Maturantët në dilemë për të zgjedhur lëndët që duhet të plotësojnë në formularin A1, lëndë këto që do tu shërbejnë më vonë për profesionin që do të kenë në të ardhmen. Shkak i kësaj dileme të tyre është bërë arsyeja se në vendin tonë nuk ka një studim për tregun e punës. Edhe pse në shkolla zhvillohet lënda “Edukim për Karrierën”, ku nxënësit orientohen për tregun e punës.

Por, duket se kjo lëndë është vetëm formale. Kryetari i shoqatës së prindërve Hysni Elezi shpreh shqetësim për këtë gjë “Lënda e ‘Edukim për karrierën’ fillon që në klasën e nëntë dhe vazhdon dhe në shkollën e mesme, por këto janë dhe mbeten formalisht nëpër letra, pasi praktikisht nuk bëhet asgjë.

Kjo lëndë, në shumicën e rasteve lihet aq pas dore, sa shërben për të plotësuar normën e ndonjë mësuesi jashtë profilit. Të orientosh nxënësin për zhvillimin e karrierës, duhet t’a njohësh atë në tërë veprimtarinë dhe sjelljen e tij, jo vetëm në mësime. Mësuesi kujdestar duhet të jetë ai që duhet të bashkërendojë punën me shkollën e prindërit, duhet të marrë mendimin e të gjithë mësueseve të tjerë për talentin e secilit, dhe t’i japë informacion mësuesit që zhvillon lëndën për zhvillimin e karrierës, por të gjithë e dimë që kjo nuk bëhet.

Edhe mësuesi i kësaj lënde duhet të bëjë ministudime për ‘potencialin’ që ka secili nxënës, edhe këtë të gjithë e dimë që nuk bëhet” shprehet Elezi. Arsyeja pse nuk zhvillohet kjo lëndë sipas Elezit  është se kjo orë është lënë pas dore nga mësuesit. “Arsyetimi është i thjeshtë, mënyra e zhvillimit të kësaj lënde është lënë pas dore, mësuesit janë të patrajtuar e paprofilizuar, mësuesi kujdestar është i ngarkuar dhe nuk ka kohë.”

Kryetari i Shoqatë së Prindërve shpreh shqetësimin se fëmijët nuk mund të orientohen për një drejtim pa ditur tregun e punës “E si mund të orientohen fëmijët për të zgjedhur një degë  të caktuar, që më pas të gjejnë një vend pune pa ditur drejtimet e zhvillimit ekonomik?.

Arsimimi nuk mund të bëhet sot për nesër, apo vetëm sa për një periudhë zgjedhore, siç veprohet me planet e fushatës, ku mashtrohet populli me plane vulgare e pa baza reale, por ai bëhet për perspektivën e gjithë jetës. Nxënësit  dhe prindërit, përveç kësaj, nuk dinë se në cilin universitet është më mirë, në cilën lëndë e degë programet përafrohen me tregun e punës” thotë Hysni Elezi.

Më tej Elezi shprehet se edhe udhëzimi i MASh është paradoksal “Personalisht mu duk shumë paradoksal udhëzimi i MASH-it për universitetet që ‘degët t’i kenë sipas tregut të punës’, por cili është tregu i punës që ne nuk e dimë? Pse nuk na e mësoni? Me shembullin personal të pushtetarëve e parlamentarëve, fëmijët thonë se nuk ka nevojë për studime, mjafton diploma dhe pastaj të zhvasim, të bërtasim se kemi të drejtë, dhe krijojmë një treg pune për mashtrues, dhunues e abuzues” përfundon Elezi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)