Mazhoranca provon rrjedhjen e parë
të votave, 5 ligje nuk arritën 84 votat

Mazhoranca provon rrjedhjen e parë<br />të votave, 5 ligje nuk arritën 84 votat
TIRANE- Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë provuar dje vështirësinë në arritjen e votave për ligje të rëndësishme. Dje mazhoranca nuk arriti të kalonte asnjë nga ligjet që kërkonin shumicë të cilësuar prej 84 votash, për shkak të mungesës së 6 deputetëve të saj në momentin e votimit. Tom Doshi, Mark Frroku, Armando Prenga, Vangjel Dule, Pjerin Ndreu dhe Parid Cara, nuk kanë qenë të pranishëm gjatë votimit të ligjeve që kërkonin votë të cilësuar, duke e lënë votimin e tyre për javën tjetër.

Mungesa e deputetëve ka detyruar kryetarin e parlamentit Ilir Meta të shtyjë për në 31 korrik votimin për projektligjin për KLD, dy projekligjet “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, projektligjin “për Ndryshimet në Kodin Penal dhe projektligjin “Për ndryshimet në Kodin Doganor” dhe projektligjin “Për dhënie amnistie”. Seanca e 31 korrikut përkon edhe me seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar në të cilën është parashikuar edhe votimi i reformës administrative-territoriale e cila gjithashtu kërkon 84 vota.

Ligjet
Në pikën 2 të nenit 81 të Kushtetutës janë përcaktuar ligjet që miratohen me tri të pestat e numrit të deputetëve. Nismat që lidhen me organizmin dhe funksionimin e institucioneve parashikuar në Kushtetutë, ligjet për shtetësinë, për zgjedhjet, për referundemet, kodet, për amnistinë, ndarjen administrative të Republikës dhe gjendjen e jashtëzakonshme, kërkojnë të paktën 84 vota. Projektligji për KLD ka qenë ndër ligjet më të rëndësishme që erdhi në Kuvend pas propozimit të ministrit të Drejtësisë Nasip Naço.

Vetë ministri Naço dhe përfaqësuesit e mazhorancës kanë kërkuar dje, gjatë seancës të votonin ligjin për t’i rikthyer funksionalitetin KLD-së. Konflikti i hapur që KLD i ka hapur ministrit të Drejtësisë dhe vendimet e diskutuara të këtij institucioni e kanë detyruar mazhorancës të ndërmarrin një nismë për disa ndryshime. Por edhe pse projektligji ka kaluar gjatë kësaj jave në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, votimi për të do të bëhet javën tjetër për shkak se kërkonte shumicë të cilësuar.

Po aq të rëndësishme ishin edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës penale që lidheshin me rritjen e dënimeve për abuzuesit me energjinë elektrike, shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor apo edhe organizatorëve dhe pjesëmarrësve në veprime luftarake. Të njëjtën rëndësi kanë pasur edhe projektligjet për Amnistinë dhe Kodin Doganor. Por ngarkesës së këtyre projektligjeve të rëndësishme javën e ardhshme do t’i bashkohet edhe reforma territoriale, e cila edhe mes shumë debatesh kaloi në komisionin parlamentar. Madje dhe në mbledhjet e fundit të grupit parlamentar kreu i socialistëve ka kërkuar më shumë prezencë të deputetëve për të realizuar plotësimin e kuorumit.  

Ditëlindja
Mark Frroku dhe Tom Doshi kanë dhënë justifikimin e tyre për mungesën në votim. Frroku ka pasur ditëlindjen, ndërsa Doshi ka qenë i ftuari i tij. Deputeti socialist ka deklaruar se nëse e enjtja tjetër do të përkojë me ditëlindjen e ndonjë tjetër kolegu, sërish do të mungojë.

“Mazhoranca rrëzon Nishanin edhe në Parlament”. Me 76 vota kundër e dy pro PS rrëzon dekretin për drejtimin e FA

Kuvendi rrëzoi dje me 76 vota kundër, një abstenim dhe dy vota pro dekretin e Nishanit për ligjin për FA. Të vetmit që kanë votuar pro dekretit të Presidentit Nishani kanë qenë deputeti socialist Alfred Peza dhe deputetja e LSI-së, Silva Caka. Në përfundim të procesit të votimit, deputetët janë shprehur të çuditur dhe votën e tyre pro dekretit e kanë konsideruar si një gabim personal. Dekreti i Nishanit për drejtimin e Forcave të Armatosura u rrëzua dy ditë më parë edhe në Komisionin e Sigurisë.

Deputetët e mazhorancës e argumentuan rrëzimin e dekretit të Nishanit si të pabazuar në ligj. Për deputetin e LSI, Spartak Braho dekreti i Nishanit nuk vinte era ligj dhe ishte në vazhdimësi të sulmeve që kreu i shtetit ka ndërmarrë ndaj mazhorancës. Edhe në seancën e plenare të një jave më parë, parlamenti rrëzoi dekretin e Nishanit që kthente për rishqyrtim ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”. Gjatë këtyre muajve qeverisjeje, presidenti Nishani i ka kthyer plot 8 ligje mazhorancës. Ndërkohë deputetët e shumicës kanë rrëzuar dekretit e Nishanit dhe kanë kërkuar prej tij të mos mbështesë opozitën e cila e zgjodhi në atë post.

Rama revoltohet me Ruçin për mungesën e deputetëve, Kryeministri zbret në sallë dhe i kërkon llogari kreut të grupit për mungesat

Kreu i qeverisë është kujdesur personalisht për mungesat e deputetëve gjatë votimit. Edhe pse kryetari i Kuvendit Meta lajmëroi se procesi i votimit do të zhvillohej në orën 14:30, mungesa e deputetëve e ka shtyrë atë për më shumë se një orë. Rreth orës 15:15 minuta, Rama zbriti nga vendi i tij për në sallë për të komunikuar vetë me kreun e grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi. Kryeministri duke parë një numër shumë të vogël deputetësh në sallë, kërkoi nga Ruçi që të kontaktonte personalisht me secilin prej tyre në mënyrë që të niste votimi.

Por edhe pas komunikimit të Ruçit me deputetët socialist, pesë prej tyre dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule nuk kanë marrë pjesë në votim. Seanca e djeshme që në nisje, por edhe gjatë zhvillimit të saj nuk ka pasur më shumë se 20 deputetë, ndërkohë që prej dy javësh opozita vazhdon bojkotin e parlamentit. Edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Rama i kërkoi deputetëve të tij të marrin pjesë në komisione në mënyrë që të kalojnë sa më parë këto ligje të rëndësishme. Mungesa e 6 deputetëve të mazhorancës ka shtyrë për javën e ardhshme, që përkon edhe me javën e fundit të këtij sesioni parlamentar ligjet që kërkojnë 84 vota.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë