Mazniku: Studentë me mesatare
nën 6, këtë vit 2800 kuota më pak

TIRANE- Këtë vit për studimet në universitet janë miratuar 2800 kuota më pak. Sipas zëvendësministrit për Arsimin dhe Sportin Arbian Mazniku kjo ka ardhur si pasojë e faktit se në disa programe studimi ishin regjistruar studentë me mesatare edhe më të ulet se 5.5 dhe jo 6. Në një deklaratë për mediat, zv/ministri Mazniku u shpreh se u hoqën gjithashtu edhe 25 programe studimi, pasi kishin më pak se 10 studentë.
 
“Universitetet këtë vit do të kenë 2800 kuota më pak. U kërkuar 22 mijë kuota, por u miratuan 19.196, pra për ata studentë që kanë një mesatare mbi 6. Ne nxitëm proces konsultimi me universitetet. Nga verifikim u konstatua se kishte nxënës të regjistruar në disa degë me mesatare më të ulët se 5.5. Po kështu u hoqën 25 programe studimi të cilët kishin më pak se 10 studentë”, u shpreh Mazniku.
 
Duke iu referuar kërkesës për rritjen e tarifave të studimit në universitete, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Arbian Mazniku, tha se “Respektuam kërkesën për rritjen e tarifave, do të bëhet sipas kërkesave të senateve në rektorate”.



Fjala e plotë e zëvendësministrit të Arsimit

Mbyllin dyert e universiteteve për të varfërit. 11 mijë të rinjve, kryesisht të shtresave të varfëra.

Argumenti ynë

Genjeshtër, gënjeshtër gënjeshtër.

Janë akorduar kuota që do të akomodojnë vetëm në universitete publike më shumë rreth 70% të nxënësve që kanë kaluar maturën dhe plotësuar formularin A2 ( 24 958 maturantë )

Ndërmorëm një proces konsultimi me universitetet, shoqëruar kjo me inspektim të mundësive reale të standarteve të cilësisë në çdo universitet.

Nga vetë IAL-të janë kërkuar 22. 000 kuota.

Më pas analizuam me shumë kujdes kërkesat në një proces analize shëmbullore duke prodhuar një dokument strategjik transparent dhe analitik.

Nga kjo analizë:

Miratuam në total 19196 kuota

Pra më pak se kërkesa vetëm 2 804 kuota, pasi bëmë ndërhyrjen në:

a. 25 programe me nr. studentësh më pak se 10

b. 14 programe me studentë të rregjistruar me notë mesatare më pak se 5.5

c. 26 programe që u mbyllën se nuk plotësonin kriteret ligjore.

Matura shtetërore e mirëadministruar rezultoi me 19 949 maturantë me notë mesatare mbi 6. Për këta nxënës realizohet në masën 100% zgjedhja e tyre në një IAl- publike me kuotat e akorduara .

Po ç’bënë shakaxhinjtë qesharakë të përparimit - një vit më parë akorduan 29 390 kuota. Populizëm elektoral, pasi vjet u rregjistruan në shkolla vetëm 23 689 studentë.

Kuoata që as i kërkoi kush, e as i duheshin kujt.

Pra, si çdo gjë e bërë pa studimin e realitetit, por thjesht për propogandë miratoi thjesht në letër 5701 kuota më shumë se kërkesa ose 24% më shumë.

Kuotat miratoheshin pa një studim real të kërkesave të vetë universiteteve. Nuk u pyet asnjë universitet i vetëm për kapacitetet e tyre as akademike dhe as mundësitë financiare për të siguruar cilësinë.

Nuk ka tradhëti më të madhe se mund t’i bëhët kombit se kjo. Një vjedhje e hapur e kohës së studentëve të mirë që futen në auditore ku nuk marrin dot aftësi dhe dije cilësore.

Një vjedhje e hapur edhe e kohës së studentëve me rezultate të dobëta, duke i ushqyer një ëndërr afatshkurtër të një diplome që nuk vlen, pasi nuk shoqërohet me dijet e duhura.

Lukunia e shqupatarëve që sillen si mbështetës i të varfëreve, teksa rriti numrin e studentëve nuk rriti kurrë financimin për arsimin e lartë.

Ushqim me lugën bush e quan populli.

Dhe çfarë u dha të varfërve? A kanë ata sot një të ardhme më të mirë, mundësi më të mira punësimi, mundësi për të çuar më shumë ushqim në tryezat e tyre?

Apo janë një trupë që i shtohet të papunëve?

Ndërkohë nëse shteti do t’i kishtë dhënë një zanat sot mund të ishin të punësuar apo dhe punësues, njerëz krenar që fitojnë me djersën e ballit jetesën e tyre, e jo të shtuarit e rradhës në bukën e shtetit.

Ne kemi respektuar kërkesën e senateve të universiteteve për rritjen e tarifave, por në masë më të ulët se kërkesa e bërë zyrtarisht.

Nëse do të kishim respektuar këto kërkesa rritja e tarifave do kapte edhe nivelin e 70 %.

Ja dhe rritja e bërë:

Një rritje mesatare 6 285 lekë në vit ose 17 lekë në ditë.

Shqupatarët dhe krye Shqupsi dolën dhe thanë se rritja do të detyrojë studentët të lejnë shkollën. Rritja nuk prek asnjë nga studentët në sistem dhe Sali Berisha gënjen se kjo do të detyrojë student të ndërpresin studimet.

Duke ndjekur politikën e ‘dyerva të shqyera’ Shqupsat kanë marrë në qafë nxënës të mirë e nxënës të dobët, të varfër a më pak të varfër, pasi e ka bërë sistemin të paaftë për t’i thënë dije gjithkujt.

Në po e rindërtojmë sistemin. Duke hequr degët që s’prodhojnë fryte, por edhe duke e mbështetur që të rritet. Cilësi në arsim, pa cënuar mundësinë e kujtdo për tu arsimuar – kjo është e vërteta e punës sonë.

Ne jemi të përkushtuar për të rritur fiancimin për arsimin në tërësi dhe për arsimin e lartë në mënyre specifike.

Skema e re e finacimit parashikon mbështetje te veçantë për studentet në nevojë, dhe që në buxhetin e ardhshëm buxheti për mbështetjen e studentëve do të ketë një rritje të ndjeshme.




Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet