TIRANE - Pseudoprotestë për të penguar zhvillimin e qytetit. Këtë vlerësim dha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku për protestën që mbajtën këtë të hënë përfaqësues të Partisë Demokratike dhe shoqërisë civile kundër ndërtimit të këndit të lojërave tek Parku i Liqenit Artificial. Duke i quajtur vandalë, Mazniku tha se ky është ndryshimi mes njerëzve që duan të punojnë për zhvillimin e qytetit.

"Qytetarët panë sërish një akt të turpshëm dhe të tmerrshëm vandalizmi, ku një forcë politike e cila është larguar me votë nga qeveria qendrore dhe qeveria lokale, nuk kuptoj se me çfarë të drejte vjen dhe shkatërron pronën publike të qytetarëve shqiptarë, të paguar me taksat e qytetarëve shqiptarë. Sot, në secilën prej këtyre hapave, kemi parë disa njerëz të cilët nuk e durojnë dot zhvillimin e qytetit dhe janë të gatshëm që në secilin prej momenteve të marrin hunjtë, të thyejnë pronën publike, për të mos parë që ky park të kthehet e të funksionojë si një park lojërash për fëmijë. Kjo është një pseudo-protestë e cila ka vetëm një qëllim: Nuk duan zhvillimin e qytetit sepse është prova e qartë se qyteti mund të riparohet, qyteti mund të bëhet më i mirë dhe ata nuk e bënë dot. Nuk donin ta bënin se nuk kishin në zemër interesin e qytetit. Ky është dallimi mes modeleve, mes njerëzve të cilët mundohen për të punuar, për të zhvilluar qytetin dhe atyre të cilët në mënyrë të vijueshme, vit pas viti vetëm shkatërrojnë dhe qytetarët e shohin qartë këtë diferencë", tha Mazniku.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku tha se kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha u dha leje për ndërtimin e një pallati 17-katësh tek Diga, dhe u ngritën dhjetëra lokale duke betonizuar parkun e Liqenit Artificial.

"PD sot ka veshur petkun e “dashnorëve” të pemëve, dje ndertonin pallate 17 kateshe buze liqenit", - u shpreh Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës përsëriti qëndrimin se projekti nuk parashikon asnjë objekt privat, por do të jetë vetëm për fëmijët.
 
“Hapësira e parkut ku po ndërhyhet do të kthehet vetëm për fëmijë, do të jetë një park ku nuk ka asnjë interes privat, nuk ka asnjë lokal dhe do të jetë një vend ku fëmijët, me prindërit e gjyshërit e tyre mund të vijnë e të luajnë dhe kundër këtij zhvillimi”, - përfundoi Mazniku.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja,com)