Mazniku: Vija e re e verdhë e
Tiranës do të jetë pylli orbital

Mazniku: Vija e re e verdhë e<br />Tiranës do të jetë pylli orbital
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbian Mazniku i ftuar në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga në Report Tv, ka komentuar risitë e Planit të Ri urbanistik të Tiranës si dhe vijimësinë e projekteve që po zbatohen në kryeqytet.
 
Sipas Maznikut në Planin e Ri vija e verdhë e Tiranës do të përcaktohet përmes një pylli orbital që do të shërbejë edhe si mushkëri por edhe si linjë transporti. Ai deklaroi se kjo ide vjen nga arkitekti italian Stefano Boeri.
 
Një tjetër risi e këtij plani sipas nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës është edhe zhvillimi policentrik i qytetit që parashikon zhvillimin e jetës së banorëve nëpërmjet disa qendrave.

Lapraka, Kombinati, zona që rrethohet nga Bulevradi i Ri, Qyteti Studenti, Komuna e Parisit janë disa nga pikat e mundshme të cilat mund të shndërrohen në qendra.
 
Mazniku iu përgjigj edhe akuzave se parkingu në sheshin “Skënderbej” është pa leje duke theksuar se jo vetëm ky projekt por çdo ndërtim që po kryhet në këtë hapësirë ka leje ndërtimi.
 
Cilat janë risitë e planit të ri? 
Është hera e parë që Tirane e Re ka një plan të integruar. Të gjitha planet kanë pasur parasysh një Tiranë më të vogël. Një plan i integruar i gjithë Tiranës së Madhe nuk ka qenë më parë. Mjafton të them se nëse do të mblidhnim popullsinë e Tiranës sipas planit të Tiranës së Vogël, plani për këto Bashki ishte për 4,6 milionë banorë ndërkohë që gjithë Shqipëria është 2,6  milionë. Të 24 njësitë administrative integrohen plotësisht me planin e ri të kryeqytetit.

Ku është zona e re urbane, vija e verdhë?
Një nga propozimet është pylli orbital, ai i një parku që shtrihet si orbitë rreth gjithë qytetit dhe bëhet vijë ndarëse mes zonës urbane dhe periurbane.
 
Ku është gjurma e këtij pylli?
Kjo gjurmë ndjek Unazën e Madhe me ndryshime të vogla. Është zona më e banuar. Shpërndarja e qytetit në territor jo vetëm ka harxhuar tokën por ka krijuar kosto që bashkia t’u shkonte pas ndërtimeve me zhvillim. Me zgjerimin e zonave kostoja për bashkinë ka qenë e lartë për kanalizimin, gjelbërimin, furnizimin me ujë, etj. Pani i ri Urbanistik parashikon një qytet më të kufizuar dhe më të dendur.
 
Kjo do të thotë edhe ndërtime të larta?
Një ndër parimet është që nëse ne kemi një sipërfaqe prej 1000 m2 nëse ne ndërtojmë 1000 metra ndërtim ne mund ta zëmë të gjithë sipërfaqen me një kat. Nëse e bëjmë 2 kate kemi 500 metra të lira. Nëse bëjmë 4 kate ndërtesë kemi 250 metër hapësirë të lirë. Intensiteti na liron hapësirën. Ky është koncepti i intensifikimit.
 
Nuk shkon ndesh kjo me premtimin e Erion Veliaj për ndërtime të larta? 
Nuk do ketë ndërtime pa kriter dhe pa standarde jashtë planifikimit urban. Ndërtimet që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve janë një e drejtë, por duhen brenda rregullave dhe standarteve.
 
Pylli orbital është ide e Boerit? 
Ky ka qenë një nga pikat kryesore të tij. I shton qyteit një park shumë të madh që është i shpërndarë në të gjithë qytetin. Ky park u krijon mundësi shumë të mëdha qytetarëve. Projekti jep mundësinë që ky park të jetë si mushkri dhe si linjë transporti. Përmes tij ndahet qartë linja urbane dhe linja ineterurbane. Pylli është pika që bën ndarjen mes zonës urbane dhe periurbane.
 
Sa e thjeshtë është ta ngresh këtë pyll kur ka kaq shumë ndërtime informale? 
Ky projekt do të zgjasë rreth 15 Vjet. Do të bëhen zhvillime por edhe njerëzit do të kenë mundësi të lëvizin. Pylli nuk është një koncept që do t’i shërbejë një personi por të gjithëve. Pylli do të jetë projekti i të ardhmes për bashkinë përveç stafit që do punojë në këtë projekt, ne do të ftojmë të gjithë njerëzit të mbjellin pemë.
 
Duke qenë se kohëzgjatja ka problematikën e vazhdimësisë, pavarësisht kush do të vijë në bashki duhet që projekti t’i mbijetojë kohës, do ta kërkoni votën e opozitës që të mos e kundërshtojë në të ardhmen? 
Do të ishte në nder të opozitës të mbështeste një plan të tillë. Për fat të keq gjatë gjithë punës rreth një vjeçare që kemi pasur për planin pavarësisht ftesave për anëtarët e këshillit bashkiak të opozitës nuk kemi parë angazhim nga ana e tyre. Për fat të keq axhenda e opozitës ka qenë bllokuese kanë tentuar vetëm të bëjnë zhurmë.
 
Me kaq luftë të ashpër politike gjërat gjithmonë mbeten në mes, sepse nuk besoj që ju do të qeverisni Tiranën edhe për 15 vite 
Qytetarët duhet të vlerësojmë njerëzit që bëjnë punë dhe më pas t’i vlerësojmë në mënyrën e duhur për ato që bëjnë dhe për ato që premtojnë t’i bëjnë dhe s’i bëjnë.
 
A ka risi të tjera Plani Urbanistik?
Një nga idetë interesante është ajo e policentrizmit. Për fat të keq pavarësisht se qyteti është zgjeruar i gjithë graviteti tërhiqet nga një pikë. Ky plan  propozon zona specifike të qendrave dhe mënyrën si të bëhen qendra. Lapraka, Kombinati, zona që rrethohet nga Bulevradi i Ri, Qyteti Studenti. Komuna e Parisit janë zona që mund të kthehen në qendra.
 
Meqë jam banor i zonës së Komunës së Parisit e shoh të vështirë ndërhyrjen si mund të bëhet shesh? 

Duhen krijuar sheshe dhe qendra të shërbimeve publike si dhe shkolla të qendrave komunitare, krijimi i tregjeve dhe qendrave komerciale. Kjo sjell shumë të mira për qytetin pasi ul nevojën që qytetarët të lëvizin në distanca të mëdha.
 
Cili është projekti për Lumin e Tiranës, Lanës dhe Tërkuzës?
Tirana preket nga tre lumenjtë ai i Tiranës, i Lanës dhe Tërkuzës. Këta të tre lumenj krijojnë një ekosistem të rëndësishëm për Tiranën. Pjesë e planit është krijimi i territoreve blu dhe të gjelbër për këta lumnej. Uji do të paraqitet me blu dhe parqet funksionale sipërfaqa e gjelbër. Kemi një plan të qartë menaxhimi.
 
Sheshi Skënderbej, Bulevardi i Ri dhe Unaza e Madhe kur përfundojnë? 
Sheshi Skënderbej është një projekt në fazën përfundimtare te pjesa e parkingut i cili ka 308 vende. Të ardhurat nga ky parkim do jenë për bashkinë e Tiranës dhe për vetëm 2 vjet do të lajë investimin e vet.
 
Ka një akuzë që nuk ka leje ndërtim?
Bashkia e Tiranës e cila është e mandatuar për të zhvilluar qytetin ka marrë leje dhe ka plane për çdo ndërtim. Tentativa e politikanëve të shkollës së Saliut është të hedhin baltë sa herë që bëhet një punë e mirë.
 
Çfarë afati ka sheshi Skënderbej?
Në fundin e verës do kemi mundësi të përfundojmë punimet. Sa i përket Bulevardit të Ri në fund të vitit 2017 mbyllim të gjithë bulevardin me gjithë infrastrukturë anësore. Sa i përket Unazës së Madhe besoj të mbyllet në muajin maj. Me qeverinë po shohim mundësinë për segmentin nga Sheshi Shqiponja te Lumi i Tiranës për ta mbyllur këtë projekt që ka në letër prej 22 vitesh. Me zgjerimin e Bulevardit të Ri krijojmë një rritje historike të qytetit.
 
Gjithë këto projekte duan shumë para, i keni garantuar këto para? 
Një pjesë e madhe e financimeve kanë ardhur nga Bashkia, buxheti i këtij viti ka qenë rreth 2 herë më i madh se ai viti të kaluar. 2017-a do të ketë një rritje më të madhe buxheti që vjen nga përmirësimi cilësor i administrimit të mbledhjes së të ardhurave dhe nga rritja ekonomike e qytetit.
 
Ka një projekt të veçantë për Piramidën apo është e vështirë në parametrat që ishte? 
Nuk synojmë ta sjellin në parametrat që ishte por shumë shpejt do të kemi një projekt mjaft novator për ta kthyer në pikë të rëndësishme të qytetit.
 
Rikonstruktimi i Piramidës ishtë ideja juaj apo e Ramës? 
Ne bashkëpunojmë më qeverinë, por ky aset menaxhohet më mirë nga bashkia. Praktikat e riparimit të rrugëve, mirëmbajtja e çerdheve e kopshteve i delegohen pushtetit lokal pasi qeveria është shumë më e mirë për hartimin e politikave. Me këtë praktikë fitojnë edhe qeveria edhe bashkia.
 
Pavarësisht Unazës së Vogël trafiku ka shumë probleme, a ka një zgjidhje për këtë trafik, kur të mbarojë sheshi nuk ndryshon gjë? 
Me mbarimin  punimeve segmenti para bashkisë nuk është më o hapur. Por ne duhet të vendosim nëse duam një qytet për makinat apo për njerëzit. Çdo investim i shtuar në transportin privat e përkeqëson gjendjen. Përmirësimi masiv i rrugëve bën që shumë njerëz të blejnë makina. Vizioni që sjell edhe ky plan është ai i një transporti multimodal. Ky plan parashikon që paralelisht me makinat kë ketë edhe rrugë për biçikleta. Ne kemi nevojë për një qytet që ka hapësirë për makinat, biçikletat dhe këmbësorët. Fokusi te transporti publik është parimi kryesor rreth të cilit ndërtohet ky plan. Do të krijojmë linja të dedikuara të autobusit.
 
A ka nevojë Tirana për metro?
Tirana është ende e vogël për metro, por duhet të mendohen edhe kostot. Krijimi i një linje metroje është shumë i kushtueshëm edhe për investimet edhe për biletat që do paguanin qytetarët. Ne duam të krijojmë linja të dedikuara që do të thotë që njerëzit të lëvizin me shpejtësi pa u ndërprerë nga trafiku. Kjo është e mundur në rrugët kryesore të Tiranës.
 
Ka një projekt të qartë sesi do të jetë sheshi “Nënë Tereza”?
Sheshi “Nënë Tereza” nga një vend ku rrotulloheshin makina është shndërruar në një vend të gjallë për shumë njerëz. Është përdorur mençurisht kjo hapësirë dhe besoj se do të mund të vazhdohet në këtë sens.
 
Sa i përket projekteve të pallateve te Liqeni si është situata?
 Ne vazhdojmë gjyqin dhe mendojmë që ajo zonë të mos zhvillohet përmes ndërtimeve. Parku i ri i liqenit i parashikuar në plan është 24 ha.
 
Veliaj flet me shumë pasion për ndërmarrjet publike, ndërkohë nga ana tjetër kemi qasje tjetër nga qeveria që synon t’i jepet më shumë rol privatit, a është më shumë pro publikes se Rama Veliaj? 
Janëdisa gjëra që mund të bëhen më mirë nga bashkia apo nga ente publike. Ka disa të tjera që bëhen më mirë nga privatët. Në kemi nisur koncesion për terminalin e autobusëve në perëndim të qytetit. Gjithashtu po shohim një partneritet publik provat për shkollat. Për çdo projekt duhet të shihet cila është mënyra më e mirë për ta bërë. Më shumë se një ndarje konceptuale kemi të bëjmë me një analizë të dobishmërisë së projekteve. Qyteti ka thuajse një muaj që pastrohet nga kompani publike dhe qytetarët kanë vënë re përmirësime. Ne po shohim mundësinë e krijimit të një kompanie publike.

Ka ndonjë projekt që u ka thënë qeveria jo? 
Natyrisht që ka. Nevojat që bashkia ka në krahasim me mundësitë janë të mëdha. Tani në një moment që projektet nuk mungojnë janë rehabilituar 21 çerdhe dhe të paktën 33 kopshte me investime private.

A kanë marrë gjë në këmbim?
Ata janë qytetarë të shqetësuar për qytetin dhe e kanë bërë me shumë pasion investimin. Ata kuptuan që ofrimi i një shërbimi publik ishte përtej investimeve.
 
Përse të mos e shfrytëzoni taksën e arsimit që nxënësit t’i kenë librat falas deri në 9-vjeçare?
Unë besoj që kjo nuk është një çështje që në makro pengon zhvillimin tonë. Qytetarët e Tiranës e gjejnë mundësinë për të paguar librat ndërsa ne kemi më shumë nevoja. Duhet përmirësuar cilësia e shkollave, palestrat, duhet përmirësuar aksesi dhe afërsia me shkollat. Prindërit duan nga ne përmirësimin e këtyre kushteve më shumë sesa thjesht librat.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë