Fjla e plotë e zv/ministres Elona Gjebrea
Jam sot këtu përpara jush, në çeljen e Javës Antitrafik për të prezantuar aktivitetet kryesore që do të zhvillohen gjatë kësaj jave në të gjithë vendin, por edhe për t’u thelluar më tej në atë se çfarë kemi arritur deri tani dhe ku duam ta çojmë nivelin e angazhimit tonë antitrafik.
Parandalimi dhe goditja e trafikimit të personave ashtu sikurse edhe mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave të këtij trafiku është sot një nga sfidat kryesore të shteteve por edhe shoqërisë në mbarë botën. Luftë pa asnjë kompromis ndaj sklavërisë moderne. Në këtë kontekst Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Punëve të Brendshme e kanë vendosur këtë sfidë në prioritetet kryesore të punës së tyre.
Brenda një viti është arritur që jo vetëm të rigjallërohet dhe vihet në funksionim të plotë i gjithë Mekanizmi Kombëtar Antitrafik por edhe të shënohen rezultate domethënëse në drejtim të goditjes së veprimtarisë kriminale si dhe të mbrojtes dhe rehabilitimit të viktimave të trafikut.
Që nga shtatori i vitit 2013 janë dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 60 referime, për veprat penale “Trafikim i personave të rritur”, Neni 110/a i Kodit Penal dhe “Trafikimi i të miturve”, Neni 128/b i Kodit Penal. 58 referime janë kryer në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore për veprën penale “Shfrytëzim i prostitucionit”, Neni 114 i Kodit Penal.
Gjatë këtij viti janë dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda 7 vendime për veprat penale “Trafikimi i Personave të rritur”, “Trafikim i femrave”, “Trafikim i të miturve” dhe janë dënuar gjithsej 10 persona.
Dua të kujtoj se një vit më parë vetëm 1 dënim ishte dhënë për këto vepra kriminale që lidhen me trafikimin. Ndaj Ministria e Punëve të Brendshme dhe zyra e Koordinatorit Kombëtare Antitrafik inkurajojnë edhe më shumë Prokurorinë dhe Gjykatën që të vijojnë të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët për të vënë përpara drejtësisë të gjithë personat e inkriminuar.
Gjatë një viti janë identifikuar 88 viktima të mundshme trafikimit. Prej tyre, pas identifikimit fillestar 12 kanë marrë statusin viktimë e trafikimit, status që jepet nga Policia dhe Shërbimi Social Shtetëror sipas procedurave standarte të veprimit.
Në fakt statistikat e personave të proceduar penalisht dhe të dënuar nga drejtësia janë vetëm një pjesë e zinxhirit të gjatë të arritjeve të Mekanizmit Shtetëror antitrafik.
Ngritja e Njësive të Lëvizshme për identifikimin në komunitet dhe referimin e Viktimave të mundshme të trafikimit në qarqet Vlorë, Elbasan dhe Tiranë; Çelja e Linjës kombëtare falas 116 006 në ndihmë të viktimave të antitrafikimit; Vënia në funksionim e aplikacionit “Raporto/Shpëto”; Ngritja e bazës së të dhënave në nivel kombëtar “SIVET”, për administrimin e informacionit të mbledhur nga të gjitha strukturat e Mekanizmit Kombëtar Antitrafikim; Ngritja e Task Forces midis Policisë se Shtetit, Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Gjykatës Për Krime të Rënda; Forcimi i bashkëpunimit rajonal në mënyrë të veçantë në Kosovën, Malin e Zi, Greqinë dhe Maqedoninë.
Janë disa nga hapat e ndërmarra nga Zyra e koordinatorit Kombëtar Antitrafik, nëpërmjet të cilave është bërë e mundur ndryshimi i imazhit të vendit tonë në opinionin ndërkombëtar.
Ky vlerësim pozitiv është pasqyruar më së miri në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e nxorri Shqiperinë nga lista e vendeve në vëzhgim për trafikun e qënieve njerëzore si dhe në Raport Progresin e BE, i cili po ashtu vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Qeverisë Shqiptare.
Por përtej gjithë asaj çka kemi arritur deri tani, na duhet të jemi të ndërgjergjshëm se çështjet e luftës kundër trafikimit të personave janë shumë më komplekse dhe kërkojnë një ndërgjegjësim të përgjithshëm shoqëror.
Por nga ana tjetër ndihet domosdoshmëria e një ndërgjegjësimi më të madhe shoqëror e komunitar. Pikërisht këtij synimi do ti shërbejë edhe Java Antitrafik që do të shtrihet në harkun kohor 18-254 tetor dhe që do të shtrihet me aktivitete të gjithanshme në të gjithë territorin e vendit.
Sot është dita Europiane e luftës kundër trafikimit dhe në kuadër të kësaj dite Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërrmarë për herë të parë në vendin tonë Javën Antitrafik.
Është një nismë e Zyrës së Koordinatorit Kombëtare antitrafik, për të ndërgjegjësuar qytetarët se Trafikimi është një çështje që na prek të gjithëve dhe në të njëjtën kohë rrezikon të ardhmen e të gjithëve. Ka ardhur koha të ndryshojmë mentalitetin se nëse nuk ndodh brenda pragut të portës së shtëpisë sonë, trafikimi nuk ka lidhje me ne; nëse nuk prek një nga familjarët tanë trafikimi nuk është një çështje e jona. Të ndryshojmë mendimin se lufta ndaj trafikut të personave është vetëm një çështje e strukturave shtetërore.
Sigurisht që parandalimi dhe lufta kundër trafikimit është para së gjithash një sfidë e agencive ligjzbatuese, por asnjë strukturë dhe asnjë institucion nuk do të mund të kishte sukses në këtë “betejë” pa mbështetjen dhe përfshirjen në të të të gjithë shoqërisë. Një përfshirje nëpërmjet informimit për të gjitha rastet e trafikimit apo trafikimit të mundshëm që mund të konstatohen nga qytetarët, në bashkëpunimin për të krijuar më shumë mundësi për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave, etj.
Unë përfitoj nga rasti për të falënderuar këtu të gjitha partnerët tanë të Organizatave Ndërkombëtare, shoqërisë civile, ambasadat që janë bërë pjesë jo vetëm e Javës Antitrafik, por në përgjithësi e punës dhe përpjekejeve tona të përbashkëta për ta ngritur luftën antitrafik në një nivel të ri cilësor.
Gjatë kësaj jave të dedikuar kryesisht sensibilizimit të opinionit publik do të zhvillohen 14 aktivitete ndërgjegjësuese, 11 forume diskutimi në nivel lokal, 9 ekspozita të ndryshme, 12 kënde informative me materiale sensibilizuese dhe një konferencë kombëtare në qytetin e Vlorës.
Në këto aktivitete është parashikuar të përfshihen pedagogë dhe studentë të universiteteve të ndryshme, nxënës e mësues të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, mjekë, psikologë, sociologë, artistë, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, etj.
Mesazhi i përbashkët i të gjithë kontribuesve në këtë Javë Antitrafik është një dhe i vetëm: Trafikimi i personave është krim! Bashkohu dhe ti për ta ndalur atë!
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)