MB: Shtabet e emergjencës në gadishmeri për të ndihmuar qytetarët në zonat e përmbytura


 
TIRANË, 4 Shkurt/ATSH/-Ministria e Brendshme ka dalë pasditen e të mërkurës  në një deklaratë për mediat mbi situatën e zonave të përmbytura në jug të vendit, nëpërmjet Këshilltarit për Median dhe Komunikimin, Florion Serjani, i cili ka dhënë detaje për gjendjen.
Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme thuhet se "Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, duke koordinuar të gjithë institucionet me përgjegjësi specifike në përballimin e emergjencave civile, ka marrë të gjitha masat për të përballuar plotësisht situatën e vështirë të krijuar nga reshjet e dendura të ditëve të fundit, veçanërisht në disa qarqe në jug të vendit".
Po ashtu, jepen detaje duke përmbledhur të gjithë situatën e javës në zonat e përmbytura, duke theksuar se "në ditën e pestë të situatës së përmbytjeve, gjendja në zonat e përmbytura paraqitet si më poshtë: rreth 17 mijë hektarë tokë, ku përfshihen tokë bujqësore dhe zona të banuara, kanë qenë nën ujë; rreth 5 mijë hektarë tokë, ku përfshihen vetëm shtëpi dhe zona të banuara dhe ku janë përqëndruar operacionet e ndihmës për banorët, janë nën ujë; mbi 600 familje janë evakuuar nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve".
Gjithashtu, për familjet e evakuuara janë krijuar mundësitë e strehimit në bazën e Bunavisë dhe në konviktet e shkollave të qytetit të Vlorës dhe Fierit. Por, pjesa më e madhe e të evakuuarve ka preferuar të shkojë tek të afërmit e tyre në fshatrat për rreth, apo edhe të fqinjët, shtëpitë e të cilëve nuk janë në rrezik. Prej ditës së hënë ka nisur shpërndarja e pakove ushqimore për banorët në vështirësi. Deri tani janë shpërndarë më shumë se 2.600 pako ushqimore për familjet në zonat e përmbytura", thuhet në deklaratë të MB.
Për përballimin e situatës së vështirë dhe dhënien e ndihmës për qytetarët në rrezik u përfshinë rreth 2.100 forca dhe qindra mjete dhe konkretisht: Strukturat e Drejtorisë së Emergjencave Civile; Policitë lokale në të gjitha qarqet; Reparti "Delta Force"; Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier; Reparti RENEA; Repartet e Forcave të Reagimit të Shpejtë të Forcave të Armatosura; Shërbimet e PMNZSH (Zjarrfikëset) Bordet e Kullimit në qarqe; Drejtoritë e OSHEE në qarqe; Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile. /a.ke/
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet