Besimtarët e krishterë kremtuan me lutje dhe gëzim, Lindjen e Krishtit. Qindra besimtarë mbushën Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku në Liturgjinë Hyjnore të drejtuar nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Imzot Joani.

Në mesazhin e tij, Kryepeshkopi theksoi se mishërimi i Krishtit është dhurata më e çmuar për njerëzimin, duke ftuar besimtarët që këto ditë feste t’i jetojnë me dashuri dhe kujdes për më të dobëtit.

“Për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi”, tha Kryepeshkopi Joan.

Besimtarët katolikë pritën Lindjen e Krishtit në meshën e mesnatës, në Katedralen “Shën Pali”. Mesha solemne u udhëhoq nga Imzot Arjan Dodaj, i cili foli për dritën e Krishtlindjes që vazhdon të ndriçojë edhe në kohë të vështira. Duke iu bashkuar lutjeve të besimtarëve, Imzot Dodaj u tha se të gjithë duhet “të ecim me shpresë e gëzim përballë çdo zhgënjimi njerëzor”.

“Netët e mbara të historisë së njerëzimit nuk janë një dritë e fortë që imponon vetë, por një dritë e butë që ndriçon rrugën e çdo njeriu. Ajo përshkon shekujt dhe arrin tek ne, këtu, sonte. Ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerëzor, sikurse kemi shtegtuar në këtë vit jubilear të shpresës, sepse për ne ka lindur Shpëtimtari. Jezusi mbetet për ne gjithmonë Zoti ynë, por edhe vëllai ynë. Leximet e kësaj nate, që sapo kemi dëgjuar, na ndihmojnë të kuptojmë se Krishtlindja nuk është thjesht premtimi i një përkujtimi të një ngjarjeje të kaluar. Sot shumë njerëz përjetojnë errësirën, siç dëgjojmë dhe shohim në luftë", tha Dodaj.

Mesazhet e besimtarëve shkuan për më shumë paqe e mbarësi.

“Gjithë të mirat e Zotit i shpresojmë.

“Ishalla merr të këqijat dhe na sjell të mirat.

“Mbarë e mirë dhe një vit sa më i mbarë për të gjithë.

 “Shëndet, mbarësi, lumturi.

“Sa më shumë besim në Krisht dhe në Zot”, thanë besimtarët.

Krishtlindja konsiderohet si një nga festat më të rëndësishme të krishterëve, ku përkujtohet lindja e Jezu Krishtit, i cilësuar si shpëtimtari i njerëzimit. Simbol i saj është pema e Krishtlindjes, ndërsa në këtë ditë nuk mungojnë as dhuratat dhe gatimet tradicionale.

Redaksia e Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë të gjithë besimtarët Gëzuar Krishtlindjen! 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:15
Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjes në qendrën ‘Gonxhe Bojaxhi’, Ristani: Mënyra më e mirë për t’u njohur e për të falënderuar njëri-tjetrin

 

Bashkia e Tiranës ka shtruar drekën e Krishtlindjeve në qendrën komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, në kryeqytet. E pranishme ishte edhe kryetarja e komanduar e Bashkisë së kryeqytetit, Anuela Ristani e cila theksoi se kjo qendër shërben si një familje e madhe, ndërsa ditë pas dite e gjithë lagjja “5 Maji” ka pësuar një transformim të madh. 

“Sot është ditë shumë e gëzuar dhe të ndash ushqim, është mënyra më e mirë për t’u njohur dhe për të falënderuar njëri-tjetrin. Ashtu si ndajmë edhe për familjet tona. Një tryezë pak më e madhe se ajo e shtëpive tona, por me të njëjtën ëmbëlsi, dhe të njëjtën ngrohtësi, ashtu si do ta kishim në shtëpitë tona. Më bëhet shumë qejfi që kjo qendra shërben si një familje e madhe, si një shtëpi e madhe. E gjithë lagjja ka marrë një lloj krenarie që nuk është më ajo që quhej “Bregu i Lumit”, por është lagjja e re “5 Maji”. Një lagje për të qenë krenarë, për të qenë në shtëpi, për t’u ndjerë të respektuar, por edhe për t’u ndjerë ngrohtë edhe mirë me njëri-tjetrin”, tha Ristani.

Në fund, Ristani përcolli edhe një urim për festat e fundvitit, me apelin për të qenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit.

“Ata nga ju që kanë mundësi, të ndihmojnë të tjerët. Ndonjëherë vetëm një fjalë e mirë, është shumë më e ngrohtë se çdo ndihmë tjetër materiale. Duhet prania dhe ngrohtësia e secilit. Puna jonë është punë fizike. Por ajo që është më e rëndësishme, është të bëjmë të tjerët të ndihen më mirë. Dhe ky do ishte mesazh dhe urimi për këtë vit, të jeni sa më mirë me veten, me njëri-tjetrin, me familjet tuaja. Suksese dhe shëndet të gjithëve. Gëzuar”, shtoi Ristani.

Ora 11:07
Tirana pret Krishtlindjen me koncertin “Tinguj & Fjalë” në Sheshin Skënderbej

Mbrëmjen e djeshme, më 24 Dhjetor, Bashkia e Tiranës organizoi koncertin festiv “Tinguj & Fjalë – Koncert Simfonik i Natës së Krishtlindjes”, duke kthyer Sheshin Skënderbej në një skenë të hapur të muzikës klasike, elegancës dhe emocioneve të festës së shenjtë. 

Nën drejtimin e dirigjentit Armand Broshka, Orkestra Sinfonike solli për publikun një program të pasur artistik, me vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Bizet, Johann Strauss, Brahms, Dvořák, Mascagni, Verdi dhe Gruber, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive në zemër të kryeqytetit.

Publiku shijoi interpretimet brilante të sopranos Eva Golemi, baritonit Armando Likaj, si dhe solistëve Edmea Krasniqi (violinë), Albana Kola (violinë) dhe Igert Zeqiri (violonçel), ndërsa drejtimi artistik u mbajt nga Ronald Gjura.

Mbrëmja festive u ndoq nga qytetarë e vizitorë te huaj, të cilët përjetuan një Krishtlindje me muzikë të përzgjedhur në zemër të Tiranës.

Ora 10:17
Besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjen, Kryepeshkopi Joan: Mishërimi është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njerëzimit

 

Në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, u zhvillua këtë të enjte, Liturgjia Hyjnore për Lindjen e Krishtit. Mesha e Shenjtë u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, bashkë me klerikë të kryepeshkopatës.

Gjatë fjalës së tij Fortlumturia e tij tha se vetëm prania e Zotit mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ndër të tjera ai theksoi se mishërimi është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njerëzimit

 “Mishërimi është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njerëzimit. Krishti fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë dhe na bashkon me perëndinë gjë që një mësues apo profet nuk e bën dot kurrë .Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne.

Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë.

Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë. Për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore

Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi. Gëzuar Krishtlindjen dhe për shumë vjet”, përfundoi ai.

Ora 07:06
Festa e Krishtlindjes, në katedralen 'Ngjallja e Krishtit' mbahet mesha për besimtarët ortodoksë

1766649345_katedralja.jpg

Sot në katedralen “Ngjallja e Krishtit” mbahet mesha për besimtarët ortodoks, ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën. Që prej orës 8:00  te "Ngjallja e Krishtit" po zhvillohet Liturgjia Hyjnore e së kremtes madhështore të Krishtlindjes.

Pas saj, ora 11:00 -13:00, te Salla e Pritjes, (pas Katedrales) Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, do të presë vizita me rastin e kësaj feste të madhe.

Festimi i Krishtlindjes nisi të marrë formë zyrtare në shekullin e IV, kur Kisha e Romës përcaktoi datën 25 dhjetor si ditën e përkujtimit të lindjes së Krishtit.

Kjo datë u lidh edhe me festa më të hershme pagane që kremtonin dritën dhe rilindjen, duke i dhënë festës një kuptim të ri shpirtëror.

Me kalimin e shekujve, Krishtlindja u shndërrua në një festë jo vetëm fetare, por edhe kulturore. Tradita të ndryshme, si vendosja e bredhit, shkëmbimi i dhuratave dhe figurat simbolike si Babagjyshi i Vitit të Ri, u zhvilluan kryesisht në Evropë gjatë Mesjetës dhe u përhapën më pas në mbarë botën.

Sot, Krishtlindja festohet në kultura dhe vende të ndryshme, duke ruajtur thelbin e saj historik dhe shpirtëror, si një festë që promovon paqen, dashurinë dhe solidaritetin mes njerëzve.

Ora 23:34
Mesazhi nga Papa Leone: Jezu Krishti, i cili lindi për ne, na sjell paqen dhe dashurinë e Zotit (VIDEO)

Për herë të parë që nga zgjedhja e tij, Papa Leone kremtoi Meshën e Natës së Krishtlindjes, duke sjellë jo vetëm solemnitetin e traditës, por edhe ngrohtësinë e një gjesti të sinqertë njerëzor.

Pak çaste përpara nisjes së liturgjisë brenda Bazilikës së Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë doli papritur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke sfiduar shiun e rrëmbyeshëm që kishte përfshirë Romën. Mijëra besimtarë, e pritën Papën me emocione dhe duartrokitje të forta.

I prekur nga ky përkushtim, Papa Leo XIV iu drejtua turmës me fjalë mirënjohjeje dhe bekimi:

“Faleminderit që erdhët, edhe në shi. Urimet më të mira për të gjithë. Le ta festojmë Krishtlindjen së bashku. Jezu Krishti, i cili lindi për ne, na sjell paqen dhe dashurinë e Zotit. Zoti ju mbroftë dhe ju bekoftë të gjitha familjet tuaja.”

Pas këtij momenti të ndjerë, Papa u drejtua drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, ku u prit nga një atmosferë madhështore dhe thellësisht shpirtërore. Mesha e Natës së Krishtlindjes, e para e tij si Papë, u kremtua në një Bazilikë të mbushur plot besimtarë.

Hyrja e Atit të Shenjtë u shoqërua nga himni tradicional “Noel”, i interpretuar nga Kori i Kapelës Sistine. Në Altarin qendror të Rrëfimit, Papa Leo XIV kremtoi meshën së bashku me rreth 250 klerikë të lartë – kardinalë, peshkopë dhe priftërinj – duke hapur kështu ritet e një prej netëve më të shenjta të kalendarit të krishterë.

K.M/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si e menaxhoi qeveria situatën e përmbytjeve?