Tirane- Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri nuk arriti të miratonte më 30 tetor 2024 një rezolutë të përbashkët, pasi opozita nuk votoi dokumentin e përbashkët. Shkak për këtë, sipas PD, u bë refuzimi që mazhoranca u bëri të gjitha mendamenteve të propozuara nga opozita.

Në mbledhjen e Komitetit për të diskutuar mbi MSA, kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, tha se opozita nuk është kundër BE, por kundër mazhorancës që refuzon çdo propozim të opozitës.

“Grupi Parlamentar  i PD-se do të votojë kundër rezolutës. Kjo jo se opozita është kundër procesit të integrimit, por për shkak se mazhoranca refuzon çdo propozim tonin. Propozimet kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit dhe mbajtjen e  zgjedhjeve te lira e të ndershme”, tha Bardhi.

Përfaqësuesit e Parlamentit Europian i kanë bërë thirrje palëve politike shqiptare të votojnë rezolutën me konsensus, por opozita ka refuzuar. Delegacioni i PE-së është shprehur se vota kundër do të ishte sinjal negativ për Këshillin Europian dhe do të ngadalësonte procesin e integrimit.

Kjo ishte dita e dytë e takimit të 18-të të Stabilizim-Asocimit, ku u diskutua tema e ekonomisë dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vuri theksin në disa pika kyçe për zhvillimin e vendit dhe nevojën për reforma të thella ekonomike.

Tabaku theksoi nevojën për modernizimin e modelit ekonomik të Shqipërisë, duke evidentuar se ekonomia aktualisht mbështetet kryesisht në ndërtimin, një sektor i ngarkuar nga korrupsioni dhe krimi, si dhe në bujqësinë që është në rënie të vazhdueshme.

“Modeli duhet ndryshuar. Duhet t'u japim përparësi sektorëve si teknologjia, bujqësia dhe industria. Këta sektorë të nënvlerësuar mund të krijojnë një bazë të fuqishme për rritjen ekonomike dhe për zhvillimin e kapitalit human në vend', tha ajo. 

Një tjetër pikë kyçe që Tabaku ngriti ishte ekonomia informale dhe shpërndarja e padrejtë e kontratave publike. Ajo vuri në dukje se mbi 800 mijë transaksione të dyshimta të parave të pista po ndikojnë negativisht në qasjen e bizneseve të reja që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri.

“Kapja ekonomike e vendit është një nga pengesat kryesore që duhet luftuar me të gjitha mjetet e mundshme”, deklaroi Tabaku, duke shprehur shqetësimin për koncesionet dhe PPP-të e qeverisë aktuale që po e zhysin ekonominë në varësi të interesave të një pakice të korruptuar', tha ajo.

Tabaku gjithashtu kritikoi mungesën e hapjes ekonomike të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar si një dështim të papranueshëm që kërkon ndërhyrje urgjente.

Dy ditë tryezë mes Tiranës dhe Brukselit përfunduan kështu. Pa dokument të përbashkët. Mungesa e deklaratës së përbashkët i dëshmoi edhe një herë BE-së se sa e polarizuar ishte klima politike në Shqipëri. Socialistët nuk e gjetën dot gjuhën me demokratët, por kjo nuk qe e pamundur me Fredi Belerin. Eurodeputeti grek bëri disa rekomandime për deklaratën, të cilat PS i pranoi.

Por teksa u gjet gjuha me Belerin, sharra ngeli në gozhdë me opozitën vendase.

Mbyllja e tryezës reflektoi klimën me të cilën u mbajt edhe dita e parë e komitetit ndërparlamentar të stabilizim asociimit, ku akuzat e opozitës, u konsideruan nga eurodeputetët si përdorje e integrimit për fushatë elektorale.

Ditën e djeshme (29 tetor) është mbajtur takimi i parë i Stabilizim-Asocimit mes parlamentit shqiptar dhe atij evropian, i cili u bashkë-drejtua nga Toni Gogu, Kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Marco Tarquinio, Kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:53
Takimi i 18 mes BE dhe Shqipërisë, çështjet që u diskutuan

 

Është mbajtur dje dhe sot (29-30tetor) takimi i 18 mes BE dhe Shqipërisë. Gjatë këtij takimi bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Toni Gogu së bashku me Marco Tarquinio, Kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian diskutuan për katër çështje thelbësore përfshirë këtu:

1. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

2. Liritë e medias dhe zgjedhjet.

3. Zhvillimi ekonomik dhe turizmi.

4. Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal

Më tej gjatë takimit disa nga çështjet që u evidentuan ishin progresi i shënuar nga Shqipëria në rrugëtimin drejt BE-së, marrëdhëniet e mira fqinjësore në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor; bashkëpunimin rajonal, të tilla si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Procesi i Berlinit, dhe rezultatet e arritura nga Struktura e Specializuar për Antikorrupsion dhe Krim të Organizuar (SPAK).

Ora 18:36
Himarën e fitoi duke bërë fushatë me PD në gjuhën shqipe, por në takimin e eurodeputetëve Beleri vë kufje për të dëgjuar Ina Zhupën me përkthim! Ka harruar gjuhën?

Fredi Beleri dëgjon me kufje Ina Zhupën

Jeton që nga lindja në Shqipëri, ka ushtruar funksione dhe detyra si shtetas shqiptar ndër vite në vendin tonë, ka bërë aktivitete politike ku ka komunikuar në gjuhën shqipe, madje deklaratat më të fundit për burgosjen dhe dënimin në media pas lirimit nga qelia i ka po në gjuhën shqipe.

Por për t’u marrë vesh me një deputete shqiptare, të aleancës opozitare ku ka bërë pjesë deri pak muaj më parë, pasi tani është zgjedhur eurodeputet grek, Fredi Beleri ka pasur nevojë për përkthim në kufje!

Kjo ka ndodhur në takimin e djeshëm mes delegacionit të eurodeputetëve të Komisionit Europian në takimin e 18-të për Asociim-Stabilizimin BE-Shqipëri dhe palëve politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, PS dhe PD.

I pranishëm si eurodeputet grek për “Demokracia e Re”, në momentin që fliste ligjvënësja shqiptare Ina Zhupa, Beleri u pa teksa mbante kufjet dhe dëgjonte në përkthim.

Dhe ironia e rastit është se vetëm një vit më parë, në muajin Maj 2023, ai bëri fushatë politike në Himarë, ku u zgjodh me 19 vota më shumë se rivali Jorgo Goro, si kryebashkiak, edhe pse ishte arrestuar dy ditë para votimit të 14 Majit, për korrupsion zgjedhor.

Në fushatë u mbështet edhe nga opozita, koalicioni PD-PL-PBDNJ-Omonia “Bashkë Fitojmë”. Në fushatën e tij morën pjesë drejtues të Partisë Demokratike në qendër dhe asaj lokale, teksa fjalimet u mbajtën kryesisht në gjuhën shqipe.

Pyetja tani mbetet se si është marrë vesh Beleri me deputetët e PD-së gjatë fushatës, që e mbështetën për kryebashkiak, apo edhe aty ka përdorur përkthyes?! Ose e ka harruar vetëm në tre muaj gjuhën shqipe!

Ora 15:48
Zbardhen Amendamentet që PS-ja i pranoi Fredi Belerit! Të parat u aprovuan,  3 të fundit u riformuluan me bashkëdakordësi, por PD refuzoi

1730292294_takimitiStabilizimAsociimitBEShqipri.JPG

Nga takimi i sotëm i 18-të i Komisionit Parlamentar për Asociim-Stabilizim mes BE-Shqipëri

Zbardhen Amendamentet që PS ja i pranoi Fredi Belerit! Të parat u aprovuan, 3 të fundit u riformuluan me bashkëdakordësi në takimin e 18-të të Komisionit Europian BE-Shqipëri mes eurodeputetëve dhe palës shqiptare PS-PD për asociim-stabilizim.

Gjithsesi prej votës kundër të PD, nuk ka deklaratë të përbashkët. Opozita refuzoi ta votonte edhe pse thirrja e eurodeputetëve përfaqësues të PE ishte e hapur që të paktën të abstenonin, sepse do të jepnin një imazh të keq.

Mes amendamenteve që u pranuan ishin ato për luftën ndaj dezinformimit dhe Axhenda për Planin e Rritjes Ekonomike

Ja amendamentet që PS pranoi dhe formuloi:

Amendamenti 5 (paraqitur nga Fredis Beleris (EPP, EL) Parlamenti Evropian)

1. Mirëpret miratimin e Qëndrimit të Përbashkët të BE-së nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper II) dhe Konferenca e dytë Ndërqeveritare e mbajtur më 15 tetor 2024, e cila shënoi hapjen e negociatave për Klasterin 1, “Bazat” me Shqipërinë; vlerëson këtë moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe njeh lidershipin e Shqipërisë si të parën midis vendeve kandidate për të filluar negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit;

Amendamenti 6 (paraqitur nga Fredis Beleris (EPP, EL) Parlamenti Evropian)

2. Përgëzon zbatimin e vazhdueshëm të reformave në drejtësi nga Shqipëria, të cilat kanë forcuar pavarësinë, transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit; bën thirrje për adresimin në kohë të vendeve të lira gjyqësore, zvogëlimin e numrit të lëndëve të pazgjidhura dhe shmangien e çdo ndërhyrjeje politike në emërimet dhe ngritjet në detyrë në gjyqtarë, si dhe forcimin e pavarësisë së gjyqtarëve dhe të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale, konsolidimin e llogaridhënies dhe integritetit fare nivelet, aksesueshmëria dhe cilësia e drejtësisë, si dhe ofrimi efikas i drejtësisë; rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare për të siguruar një gjyqësor plotësisht të pavarur dhe efikas;

Amendamenti 7 (paraqitur nga Fredis Beleris (EPP, EL) Parlamenti Evropian)

3. Përgëzon krijimin, në përputhje me dokumentin e shqyrtimit të BE-së dhe rekomandimet e Raportit të Progresit, të Komisionit Parlamentar Ad hoc “Për Forcimin e Reformave në Qeverisjen e Mirë, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në BE”; nënvizon angazhimin e Shqipërisë për të përafruar reformat me standardet e BE-së, duke siguruar qeverisje efektive dhe masa kundër korrupsionit; thekson rëndësinë e transparencës së plotë dhe gjithëpërfshirjes së punës së komitetit, duke siguruar llogaridhënien publike dhe angazhimin e palëve të interesuara për të forcuar qeverisjen demokratike; bën thirrje për përpjekje të vazhdueshme në mbrojtjen e të drejtave themelore, promovimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare;

Amendamenti 10 (paraqitur nga Fredis Beleris (EPP, EL) Parlamenti Evropian)

4. Shpreh shqetësim të madh për kërcënimin në rritje të ndërhyrjeve të huaja, dezinformimit dhe sulmeve kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike të Shqipërisë; lavdëroj krijimin, në përputhje me rekomandimet e institucioneve të BE-së, të Komisionit Parlamentar Ad hoc “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike”, thekson angazhimin e Shqipërisë për të trajtuar dezinformimin dhe ndërhyrjen e huaj nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse, që siguron mbrojtjen e proceseve demokratike dhe thekson nevojën për të zbatuar dhe zbatuar në mënyrë efektive strategjinë e saj kombëtare të sigurisë kibernetike;

Amendamenti 11 (paraqitur nga Fredis Beleris (EPP, EL) Parlamenti Evropian)

5. Mirëpret Axhendën e Reformës të propozuar nga Shqipëria si pjesë e Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor; nënvizon se Axhenda e Reformës duhet të përdoret si një mjet i rëndësishëm në trajtimin e pabarazive socio-ekonomike, përmirësimin e infrastrukturës, lidhjes rajonale, avancimin në tranzicionin e gjelbër dhe dixhital dhe tejkalimin e sfidave në garantimin e respektimit të qartë për bazat, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligji në përputhje me standardet dhe kërkesat e BE-së;

Të miratuara:

6. I bën thirrje Shqipërisë të sigurojë përafrimin e plotë të kuadrit të saj legjislativ me standardet evropiane dhe të zbatojë rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe vendimet e GJEDNJ-së për të drejtat e pronësisë; dhe në përputhje me kapitujt e Udhërrëfyesit për Sundimin e Ligjit, të paraqitur nga Shqipëria, për të siguruar një regjistrim efikas dhe transparent të pronave dhe sistem të integruar të menaxhimit, i cili do të ofrojë tituj të qartë dhe të sigurt pronësie në Shqipëri, duke përfshirë një shërbim plotësisht të dixhitalizuar, i cili duhet të jetë në vend jo më vonë se 2030.

7. Përshëndet gatishmërinë e Shqipërisë dhe bën thirrje për miratimin përpara fundit të vitit 2024 dhe zbatimin e akteve nënligjore të mbetura në lidhje me ligjin kuadër të vitit 2017 për mbrojtjen e personave që u përkasin pakicave kombëtare në përputhje me standardet evropiane dhe me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara përkatëse.

8. Përgëzon Shqipërinë për përpjekjet e saj serioze të bëra për të trajtuar korrupsionin dhe bën thirrje për më shumë dhe përpjekje të qëndrueshme për të forcuar një kuadër parandalimi dhe për të garantuar efikasitetin e tij veçanërisht në sektorët e rrezikut si prona, prokurimi publik dhe financat publike; Shqipëria duhet të trajtojë në mënyrë sistematike dhe efektive rekomandimet e Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO).

Ora 13:30
Komiteti për MSA-në, opozita voton kundër rezolutës, Bardhi: Mazhoranca refuzon çdo propozim tonin

1730292114_bardhi.JPG

Në mbledhjen e Komitetit për të diskutuar mbi MSA, opozita voton kundër rezolutës së propozuar.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se opozita nuk është kundër procesit të integrimit, por kjo votë kundër është për shkak të refuzimit nga maxhoranca të çdo propozimi të PD-së.

“Grupi Parlamentar i PD-së do të votojë kundër rezolutës. Kjo jo se opozita ëshë kundër procesit të integrimit por për shkak se mazhoranca refuzon çdo propozim tonin. Propozimet kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Përfaqësuesit e Parlamentit Europian i bënë thirrje palëve politike shqiptare të votojnë rezolutën me konsensus, por opozita ka refuzuar. Delegacioni i PE-së është shprehur se vota kundër do të ishte sinjal negativ për Këshillin Europian dhe do të ngadalësonte procesin e integrimit.