Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës pasi mbanin peng prej 2 javësh një person nga Kosova duke e kërcënuar për t’i marrë 70 mijë euro.

Vilson Agaj, Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj janë 3 personat e arrestuar nga fshatrat e Lumit të Vlorës. Burime për gazetarin e Report Tv Armand Xhelili kanë bërë me dije se ka qenë e motra e personit të marrë peng, e cila ka dënoncuar në polici nga Suedia marrjen peng të vëllait të saj.

Personi nga Kosova është identifikuar si Fisnik Xhaka ndërsa është dhunuar nga 3 të arrestuarit. Xhaka kishte dalë garant tek 3 pengmarrësit që disa persona ne Europë te merrnin një sasi droge me vlerë 70 mijë euro pa e paguar dhe se lekët do i paguanin më vonë. Pagesa nuk është bërë dhe 3 personat e arrestuar kanë marrë peng Fisnik Xhakën duke i kërkuar 70 mijë eurot për të cilat ai kishte dalë garant.

Xhaka nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me policinë.Fisnik Xhaka është dërguar për ndihmë mjekësore në spital dhe më pas është larguar. Në spital ai është paraqitur me shembje në trup dhe plagë e gërvishtje në pjesën e këmbëve.

Gjatë operacionit të zhvilluar nga Policia e Vlorës dhe forcat Operacionale, janë gjetur dhe sekuestruar në banesën e Julian Zogajt, ku dhe është mbajtur peng Xhaka, sasi canabisi dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.

Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hostage”.

Mbajtën peng dhe dhunuan një shtetas nga Kosova, me qëllim përfitimin e 70 000 eurove, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, pas marrjes së informacionit nga familjarët se një pjesëtar i familjes së tyre mbahej peng në një apartament në qytetin e Vlorës, organizuan menjëherë punën për lokalizimin e banesës, kapjen e autorëve dhe lirimin e shtetasit të mbajtur peng.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”,  u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve:

            •           J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij.

Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i shtetasit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim,

“Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, njofton policia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:26
Pengmarrja në Vlorë/ Apartamenti i siguruar me kamera! Shkak 70 mijë euro të papaguara nga pazare droge! 39-vjeçari kishte dalë garant për një bandë nga Evropa (VIDEO)

 

Gazetari i Report Tv Armand Xhelili ka siguruar pamje nga banesa e Julian Zogaj në Vlorë ku është mbajtur peng për 2 javë, që prej datës 28 nëntor, Fisnik Xhaka 39 vjeç nga Kosova.

Në derën e apartamentit ndodhej një kamer për të parë nga brenda se kush ndodhej jashtë. Gjithashtu ambienti është i pajisur me kamera sigurie. Apartamenti ndodhej rreth 300 metra larg komisariatit të Vlorës.

Sakaq është bërë me dije se Xhaka kishte dalë garant tek 3 pengmarrësit që disa persona ne Europë te merrnin një sasi droge me vlerë 70 mijë euro pa e paguar dhe se lekët do i paguanin më vonë.

Pagesa nuk është bërë dhe 3 personat e arrestuar kanë marrë peng Fisnik Xhakën duke i kërkuar 70 mijë eurot për të cilat ai kishte dalë garant. Xhaka nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me policinë.