Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi është duke zhvilluar një takim me të rinj dhe të reja të LRI-së në Shkodër.

Por ndryshe nga takimet e tjera javët e fundit ajo që u vu re është fakti se thuajse të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet kanë qenë me maskë. Të rinjtë e LRI kanë vendosur maska të kuqe me inicialet e LSI.

Ky reflektim i Lëvizjes Socialiste për Integrim vjen pasi për herë të parë u shfaq me maskë në një takim publik edhe Presidenti Meta, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët ditën e premte. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë vendim Meta tha se mund të konsiderohet edhe një reflektim i tij pasi rastet me COVID janë rritur ndjeshëm. Ai apeloi që të gjithë të mbajnë maskë.

Këtij apeli siç duket i është përgjigjur menjëherë ish partia e tij, e cila deri dje nuk e ka respektuar mbajtjen e maskës në asnjë dalje publike.

Megjithatë këtij apeli për të reflektuar, siç duket nuk i është përgjigjur Monika Kryemadhi, kryetare e LSI dhe bashkëshorte e Presidentit. Edhe në takimin e sotëm ajo është shfaqur serish pa maskë, edhe pse premtoi se një maskë të LSI do ta mbante. 

"Unë do ta mbaja maskën me LSI. E di që kushdo të ecë në rrugë me të pasi do të verbonte Edi Ramën. Atij nuk i pëlqen ngjyra e kuqe pasi është ngjyra e flamurit kombëtar", tha ajo.

Në fund ajo serish përqafoi dhe u dha dorën të pranishmëve, siç duket edhe në fotot e mëposhtme.