TIRANË- Prej 6 vitesh me radhë, një grua dhe dy fëmijët e saj të mitur janë dhunuar sistematikisht nga bashkëshorti i saj Xherxh (Gjergj) Laçi. 50-vjeçari, ekstremist fetar, jo vetëm që u kishte lënë plagë të mëdha nga traumat e dhunës, por edhe i kishte ngujuar, duke u kufizuar çdo kontakt me botën e jashtme.

Dy fëmijët e tij, 15 dhe 17 vjeç, nuk gëzonin dot as të drejtën për të shkuar në shkollë si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Pasi kishin mbaruar shkollën 9-vjeçare, 50-vjeçari u kishte ndaluar atyre të vazhdonin gjimnazin. 50-vjeçari Laçi e mbante bashkëshorten të ngujuar në shtëpi duke e kërcënuar me thikë, e madje ushtronte edhe dhunë fizike, shpesh duke përdorur edhe shkopinj druri.

Ajo çfarë e bën edhe më të trishtë këtë histori është fakti se familja ishte ngujuar në zemër të kryeqytetit, në zonën e 5 Majit në Tiranë, ku edhe fqinjët ishin në dijeni të ngujimit, por askush prej tyre nuk ka reaguar. Madje edhe të afërmit nuk kanë marrë mundimin të trokasin në dyert e policisë, por vetëm ditën e sotme njëri prej tyre ka arritur të marrë guximin dhe të bëjë denoncimin, çka solli edhe arrestimin e 50-vjeçarit Laçi.

Report Tv mori prononcimin e një prej fqinjëve, e cila u shpreh se Laçi e mbante familjen të mbyllur gjatë gjithë kohës, ndërsa i kyçte ata me çelës. Sipas informacioneve paraprake, 50-vjeçari dilte nga banesa vetëm ditën e premte për t'u falur në xhami. Pas denoncimit në polici, Me firmën e prokurores Elsa Kareci është ndërhyrë në shtëpi, ndërsa në momentin e arrestimit 50-vjeçait i janë gjetur edhe libra fetarë.

Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ishte sot në banesën e 50-vjeçarit, ku duket gjendja e vështirë ekonomike në të cilin jetonin. Sipas fqinjëve ata nuk kishin paguar as faturat e energjisë elektrike, çka ka sjellë edhe ndërprerjen me furnizimin me energji nga ana e OSHEE. Ajo çfarë vihet re në banesë është se Laçi e kishte izoluar ballkonin me çarçafë, për të shmangur çdo kontakt të familjes me botën e jashtme.

Gruaja dhe dy fëmijët janë dërguar në një qendër rehabilitimi, ku do të marrin edhe trajtim psikologjik. Ndërkohë, 50-vjeçari do t’i kryhet një kontroll mjekësor për ta parë nëse ka apo jo probleme të shëndetit mendor.

Pas operacionit të zhvilluar, në banesë janë gjetur dy thika, shkopinj druri dhe 700 fishekë të cilët i kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergji, nuk është krejtësisht emër i panjohur për policinë. Ai është arrestuar në vitin 2013 pasi në të njëjtën zonë ku banon edhe sot qëlloi me breshëri kallashnikovi duke terrorizuar banorët përreth.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:46
Ngujoi dhe dhunoi gruan dhe fëmijët prej 6 vitesh, Report Tv siguron foton e radikalistit ekstrem në Tiranë

1667738690_gjergjlaci.jpg

Report Tv ka siguruar foton e ekstremistit mysliman Gjergj Laça i cili ngujoi dhe dhunoi barbarisht fëmijet dhe gruan e tij në Tiranë në lagjen 5 maji. 

Ora 13:36
Report Tv sjell pamjet, ja banesa ku 50-vjeçari kishte ngujuar familjen në Tiranë

 

Report Tv sjell pamjet e banesës ku 50-vjeçari Xherxh (Gjergj) Laçi, për shkak të bindjeve radikale fetare kishte ngujuar familjen dhe nuk lejonte fëmijët të shkonin në shkollë.

Ora 13:34
Ngujoi familjen në Tiranë, flet fqinja: E mbante gruan dhe fëmijët të mbyllur me çelës, ishte i frikshëm

 

Report TV sjell prononcimin e një prej fqinje e cila jeton pranë banesës së 50-vjeçarit Xherxh (Gjergj) Laçi, i cili kishte ngujuar familjen. Fqinja thotë për mediat se 50-vjeçari e mbante familjen gjithë ditën të mbyllur me çelës, ndërsa nuk ishin në dijeni nëse fëmijët shkonin në shkollë apo jo.

 “Në punë nuk shkonte. Nuk kemi komunikuar. Kanë 24 vjet që jetonin këtu. Punonte ushtar kryefamiljari. Prej 10 vitesh pa punë. Vuante nga probleme mendore, ka qenë çuar njëherë në spital.

Bashkëshortja e sëmurë. Kishim frikë me e pa, ishte njeri i frikshëm. Fëmijët? Dilnin, shkonin në shkollë. Pse i mbante të ngujuar? Se di. Nuk fliste ajo. I mbante mbyllur brenda në çelës”, tha fqinja.

Ora 12:11
Prej 6 vitesh kishte ngujuar gruan dhe fëmijët e tij, ‘ekstremisti’ fetar i arrestuar në Tiranë ‘terrorizoi’ 5 Majin me breshëri automatiku në 2013-tën

‘Radikalisti fetari’, Xherxh (Gjergj) Laçi i cili ditën e sotme u arrestua për ngujimin e dy fëmijëve dhe gruas së tij për shkak të bindjeve radikale, mësohet se në 2013-tën kishte qëlluar me breshëri automatiku në zonën e 5 Majit.

Për ngjarjen e ndodhur, Laçi u arrestua dhe më pas u dënua për veprën penale të “prishjes së qetësisë publike” dhe “armëmbajtje pa leje”.