Pesë vjet pas zgjedhjes në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka përfunduar mandatin si kryetare e institucionit. Ndërkohë, Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik pritet të hapë të hënën procedurat për përzgjedhjen e kreut të ri të AMA-s.

Procesi do të nisë me shpalljen e konkurrimit për kandidatët që synojnë drejtimin e institucionit. Sipas ligjit, kandidat për kryetar të AMA-s mund të jetë çdo person që ka jo më pak se 10 vite përvojë pune në fusha që lidhen me median, transmetimet audiovizive, prodhimin e përmbajtjeve mediatike, teknologjinë e medias, ekonominë, administrimin, konkurrencën, drejtësinë, kulturën, mbrojtjen e konsumatorit, zhvillimin e gjuhës shqipe dhe sektorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në veprimtarinë audiovizive.

Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore. Më pas, lista e emrave i kalon Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, i cili verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj.

Pas verifikimit, komisioni identifikon katër kandidatët që marrin mbështetjen më të madhe nga anëtarët e tij. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë. Në rast se dy ose më shumë kandidatë marrin të njëjtin numër mbështetjesh, përzgjedhja bëhet me short.

Në fazën pasuese, përfaqësuesit e pakicës parlamentare në komision përjashtojnë dy nga katër kandidatët e përzgjedhur. Dy emrat që mbeten i kalojnë Kuvendit për votim.

Sipas procedurës së parashikuar në ligj, kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.