TIRANE -  Mbërrin në atdhe trupi i pajetë i ish grevistit i cili vdiq më 2 nëntor në spitalin e Barit të Italisë, pasi nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda të djegies në aktin e vetëflijimit në ambientet e grevës së urisë, si protestë ndaj indiferencës së qeverisë për mosplotësimin e kërkesave të tyre.

Arkivoli me trupin e pajetë të 47 vjeçarit, mbërriti rreth orës 08:00 të paradites në portin e Durrësit, me tragetin “Klaudia”, të linjës Bari - Durrës. Në momentin e mbërritjes së arkivolit, kanë qenë të pranishëm disa familjarë dhe makina mortore.

Më pas arkivoli u nis drejt Tiranës, i mbuluar nga flamuri kuq e zi. Miqtë e tij, ish të përndjekur dhe bashkëvuajtës shoqëruan arkivolin në banesën e së ëmës së Bejkos në Laprakë.

lirak bejko homazhe
 
PS DO TE JETE NESER NE HOMAZHE

Kryetarja e grupit të punës së ish të përndjekurve, në Partinë Socialiste Keti Bazhdari zhvilloi sot paradite homazhe në familjen e Bejkos. Ajo konfirmoi se PS do të jetë në homazhet e Lirak Bejkos që do të zhvillohen nesër në Institutin e të Përndjekurve Politikë. “Patjetër. Përfaqësuesit e PS dhe të gjithë partitë që nuk hodhën vrerë kanë të drejtë të jenë në homazhe. Ato janë të hapur për të gjithë qytetarët.”- tha Bazhdari.

TUFA: HOMAZHET JANE TE HAPURA PER KEDO

Në një prononcim për median pranë shtëpisë së Lirak Bejkos Skënder Tufa deklaroi se dera e mortit dhe e homazheve është e hapur për këdo, duke kundërshtuar deklaratën e kreut të Institutit të të Përndjekurve politikë, Simon Miraka, i cili tha se në homazhet që do të zhvillohen nesër nuk do lejohen politikanët.
“Homazhet janë tonat, ne jemi për të zbatuar çdo ligj shqiptar. Kanuni thotë edhe hasmi pritet në mort. Dera është e hapur për të githë, nuk vendos askush përveç familjarëve të tij. Komisioni i homazheve po merret me detajet. Dje është kontaktuar policia dhe është marrë leja për zhvillimin e homazheve”- tha Tufa.

INSTITUTI I TE PERNDJEKURVE: NE HOMAZHET E NESERME NUK DO TE LEJOHEN POLITIKANET
 
Homazhet do të zhvillohen ditën e nesërme në ambientet e Institutit të të Përndjekurve Politikë. Pa fjalime dhe ceremoniale të tjera, të gjithë janë të ftuar të nderojnë aktin e vetë sakrificës së Bejkos nga ora 11:00-13:00. Pasi ka deklaruar se homazhet mund të kryhen në këtë institut, Simon Miraka, u ka bërë me dije të gjithë politikanëve se nuk janë të mirëpritur gjatë homazheve, përveç presidentit, pasi ai është mbi palët. "Unë vajta gjatë ditës së djeshme për ngushëllim në familjen e Lirak Bejkos. Bashkëshortja më tha se ceremonia mortore do të zhvillohet në shtëpinë, ku edhe e njohin të gjithë. Më pas më telefonoi për të më thënë nëse është e mundur që homazhet të zhvilloheshin te Instituti, për të gjithë ata që duan ta nderojnë. Sollën edhe një grup përfaqësuesish dhe ne ramë dakord që homazhet të zhvillohen nga ora 11:00 e ditës së nesërme deri në orën 13:00. Unë u bëra thirrje të gjithë politikanëve, që asnjëri prej tyre të mos vijë në homazhe. Përveç presidentit që është mbi palët. Kjo për të shmangur jo vetëm ndonjë incident të mundshëm, por edhe për të mos e politizuar këtë ngjarje dramatike për familjen e të ndjerit. Sigurisht që nëse vijnë ne nuk do t'i ndalojmë me forcë, por e mira do të ishte të mos vinin politikanët", - deklaroi Simon Miraka për Shqiptarja.com.

lirak bejko varrim

Gjergj Ndreca, shoku i ngushtë i Lirak Bejkos, thotë se ata pranojnë ngushëllime nga të gjithë, qofshin këta politikanë ose jo, përveç kryeministrit Berisha, këshilltarëve të tij, apo ministrave të qeverisë së tij. "Ne pranojmë ngushëllime nga të gjithë. Edhe politikanët janë të gjithë të mirëpritur. Sigurisht që nuk do të pranojmë që gjatë homazheve në këtë ambient të shkelë kryeministri Berisha, këshilltarët e tij, apo ministrat e tij, të cilët na kanë injoruar gjatë grevës sonë dhe u bënë shkak edhe për aktin ekstrem të disa prej nesh, si pasojë e të cilit vdiq edhe Liraku", - thotë Gjergj Ndreca. Më tej ai na shpjegon se gjatë ditës së mërkurë do të lërë shtratin e spitalit dhe do të jetë i pranishëm në homazhet e shokut të tij të ngushtë. Menjëherë pas homazheve Bejko do të përcillet drejt banesës së fundit në Sharrë.

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)