Pas vëzhgimit të Report TV për ndotjen në plazhin e Velipojës ka nisur një aksion i gjerë pastrimi për pastrimin e mbetjeve plastike të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut dhe prurjet e shumta. Ekipet e shërbimeve publike të bashkisë Shkodër dhe tre fadroma të Ndërmarrjeve të bashkisë janë angazhuar në terren, duke punuar në pastrimin e brezit rënor. Nënkryetari i bashkisë, Alban Preka thotë se puna do të vijojë deri në pastrimin e plotë.
“Bashkia Shkodër është sot me punonjësit e saj e angazhuar në një aksion masiv për pastrimin e të gjithë sipërfaqes së rërës në plazhin e Velipojës. Me porosi të kryetarit të bashkisë, sot e gjithë struktura po angazhohet me mjetet e tyre për të ndryshuar gjendjen e pastërtisë në plazh. Gjatë kësaj kohe është ndjekur me shqetësim, situata e krijuar nga depozitimi i këtyre mbetjeve në sipërfaqen rënore të plazhit të Velipojës. Aksioni do të vijojë në ditët në vijim deri në pastrimin total të të gjithë sipërfaqes ranore të plazhit.”, tha ai.
Sipas autoriteteve vendore, mbetjet e sjella nga prurjet janë rezultat i ndotjes së lumenjve dhe përrenjve në territor, çka tregon se çdo ndotje e hedhur në mjedis përfundon sërish në natyrë dhe në zonat tona turistike.
Institucionet apelojnë për rritje të përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit fillon nga veprimet e përditshme të çdo qytetari. Bashkia Shkodër nga ana e saj do të vijojë punën deri në pastrimin e plotë të zonës.
Komente







