Prurjet e shumta dhe reshjet e rëna gjatë ditëve të fundit, nga lumenjtë dhe përrenjtë e territorit të qarkut të Shkodrës kanë bërë që i gjithë bregdeti të jetë i mbushur me mbetje plastike të cilët deti i ka kthyer te ata që i hodhën, por kësaj here natyra ka kthyer edhe një herë dëmin e shkaktuar nga vetë njerëzit.

Brezi rënor i bregdetit i Velipojës i përngjan një landfilli mbetjesh plastike.

Kudo, shishe plastike, por edhe mbetje të tjera, të kthyera mbrapsh nga baticë-zbatica e detit Adriatik. Situata është pak të thuhet alarmante.

Autoritetet ende nuk kanë vënë dorë. Të vetmit të shqetësuar janë organizatat mjedisore. Mirsad Basha, aktivist dhe drejtues i shoqatës mjedisore “Eko Mendje”, ngriti i pari alarmin për këtë situatë përmes rrjeteve sociale.

"Duke monitoruar lumenjtë dhe derdhjet në det gjatë ditëve të reshjeve, pamë një katastrofë shumë të madhe, pamë gjithë bregdetin e Velipojës duke sjellë mbeturina dhe shishe. Ky është një pasqyrim se cfarë i ka bërë njeriu natyrës, lumenjtë janë kthyer në kosha mbeturinash dhedeti në një farë forme na e kthen mbrapsh",- thotë Basha.

Organizatat mjedisore kanë thirrur një organizim masiv pastrimi më 10 dhjetor.

"Bëhet fjalë për rreth 20 km ecje, na janë bashkuar shkolla, nxënës etj. Kjo është zgjidhja për momentin”,- shprehet aktivisti Basha.

Ndotja nga Shqipëria ka vënë në alarm edhe Kroacinë, në bregdetin e së cilës po ashtu disa ditë më parë kanë mbërritur masivisht mbetje plastike nga Shqipëria, të identifikuara si shqiptare, përmes etiketave dhe simboleve, të cilat kanë pushtuar portin e vjetër tw Dubrovnikut dhe plazhin Banje.

Sipas mediave kroate, ekspertët dhe autoritetet lokale e vlerësojnë fenomenin si kronik dhe me rrezik të lartë për mjedisin detar, por edhe për imazhin turistik të qytetit, një ndër destinacionet kryesore në Adriatik.