TIRANË – Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu tha sot se "Qeveria dëgjon me vëmendje opinionin e shoqërisë civile dhe unë, nuk mund të diskutoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk kam qenë kundër zhvillimit të referendumit për importin e mbetjeve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim për të lejuar një referendum, ndërsa kërkesa e bërë nga shoqëria civile besoj se ka disa probleme që mund të shtojë rrezikun e importit të mbetjeve pa kufi në Shqipëri”.

“Ne sot liberalizojmë vetëm 25 mbetje, nga 500”, - tha ai.- “Nëse ne si Qeveri do të marrim në konsideratë liberalizimin tërësisht të importit të mbetjeve të rrezikshme e të parrezikshme në Shqipëri, është përgjegjësia ime si ministër dhe i Qeverisë për të frenuar importin e tyre dhe për të parë mundësinë, në mënyrë absolute vetëm për atë pjesë të mbetjeve, që janë brenda listës së gjelbër. Nëse do të reduktohet kjo listë, le të reduktohet më tej, por në mënyrë absolute siç e kërkon ligji, që mbetjet e rrezikshme të mos importohen në Shqipëri".

Sipas tij, "ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve është çertifikuar si një ligj tërësisht në përputhje me direktivën europiane. Praktika e importit të mbetjeve sipas procedurave dhe vendimmarrjes që kemi është shumë herë më strikte se vendet e BE-së. Europa është vendi ku ne duam të shkojmë dhe padyshim që duhet të dëgjojmë me shumë vëmendje të gjithë zërin europian për këtë çështje. Do kisha dëshirë të kishte më shumë debat, se si autoritetet qendrore lokale dhe ne si qytetarë të angazhohemi në menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili është një nga problematikat më thelbësore, që kemi ne sot për cilësinë e jetës në Shqipëri".

Ministri Mediu shtoi se"lista e mbetjeve nga 55 në 25, ka qenë iniciativë e Ministrisë së Mjedisit, por nëse ka aktorë të tjerë që duan ta reduktojnë deri në momentin që bëhet referendumi, jam i prirur që ta shikojmë këtë çështje”.

MBROJTJA E NATYRËS SHQIPTARE, MINISTRI MEDIU FALENDERON AMBASADORIN ITALIAN

E ardhmja e qëndrueshme të zonave të mbrojtura të Evropës juglindore ka qënë një temë tjetër diskutimi, mbajtur po sot në Tiranë, me ekspertë të fushës, shqiptarë dhe të huaj. Në takim janë diskutuar një sërë objektivash dhe janë dhënë një sërë prioritetesh për të formuluar një program efektiv dhe rezultat të orientuar për mbrojtjen e mjedisit. I pranishëm ka qënë, përveç përfaqësuesve të Qeverisë shqiptare, edhe ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani.

Gaiani është shprehur se Italia e ka mbështetur projektin për mbrojtjen e mjedisit dhe ka shprehur gadishmërinë për bashkëpunimin me Shqipërinë edhe në këtë fushë. “Mbrojtja e mjedisit”, - tha ai, - “është synimi kryesor për mirëqënien e njerëzve. Kemi pasur një seri sfidash për mbrojtjen e mjedisit. Ju garantoj se Italia gjithmonë ka qënë dhe do të jetë partner dhe do të investojë për Shqipërinë. Ne kemi investuar 6 milionë euro për “Landfild”-in e Sharrës e jemi të gatshëm për të dhënë eksperiencën tone në Shqipëri. Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se shtyllë për mbrojtjen e mjedisit është pjesëmarrja aktive e autoriteteve lokale në mbrojtjen e tij”.

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, nga ana e tij, e ka quajtur mjaft të rëndësishëm mbrojtjen e natyrës, por gjithsesi ka bërë apel të punohet më shumë për mbrojtjen e saj. Mediu tha se “Shqipëria ka bërë progres në drejtim të mbrojtjes së natyrës; se qeveria e ka prioritet të saj jo vetëm garantimin e mbrojtjes së natyrës brenda rrjetit të zonave të mbrojtura, por edhe zhvilimin e të ardhurave për banorët lokalë. Qeveria italiane dhe BE-ja”– përfundoi Mediu, -“ka qënë mbështetja jonë dhe është faktor kyç për biodiversitetin”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)