Shtrati i lumit Tirana trajtohet ende si një kosh mbetjesh edhe pse ligjërisht është e dënueshme hedhja e mbeturinave në shtratin e tij.

Kamera e ReportTv është ndalur këtë herë në territorin e bashkisë Kamëz në lagjen Valias i Ri në urën e varur.

Siç dhe shihni në këto pamje në të dyja anët e lumit nuk mungojnë hapësirat ku mbetjet janë shpërndarë gjithandej.

Një prej banorëve të zonës na thotë se mbeturinat hidhen fshehurazi natën nga njerëz të papërgjegjshëm.

Pak kilometra më tutja ndodhet një tjetër urë mbi shtratin e lumit Tirana në zonën e Lanknasit.

Edhe këtu pamja është e njëjtë, mbetje të cilat për pak minuta shi sapo rrjedha e lumit shtohet këto plastika përfundojnë në detin Adriatik.

Ne u ndalëm edhe në bashkinë Kamëz për të marrë një reagim për këto mbetje, ndërsa jashtë kamerës kreu i saj z.Rakip Suli u shpreh se do të ndërhyhet për t'i pastruar.

Ndërsa prej disa javësh Inspektorati i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Territorit ka nisur një aksion për të ndalur këtë situatë të rëndë ekologjike, ky lum është ende nën kërcënimin e mbetjeve që duhen hequr përpara se të përfundojnë në det.