GREQI- Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ditën e sotme bëri një deklaratë lidhur me situatën e pandemisë së COVID-19 në vend.
Ai tha se aktualisht janë vaksinuar mbi 1 milionë qytetarë dhe se procesi i vaksinimit po ecën me hapa të sigurt dhe shumë më të shpejtë se shumica shteteve evropiane.
“Çdo javë që kalon, ne ndërtojmë murin e imunitetit në përpjeke për të lenë pas këtë aventurë. Ne jemi në fillimin e fundit të kësaj pandemie”, tha Mitsotakis.
Ditët e fundit në Greqi janë shënuar shifra shumë të larta infektimesh dhe viktimash nga COVID-19.
Kryeministri grek, gjatë fjalës së tij foli edhe lidhur me këtë duke thënë se kjo rritje drastike e rasteve ka ardhur si pasojë e varianteve të reja të virusit.
“Ne do ti përgjigjemi këtij ‘sulmi’ duke vazhduar të forcojmë edhe më shumë spitalet tona, kryesisht në kryeqytet aty ku kemi dhe problemin më të madh”, tha ai.
Ai në fund i ka bërë apel qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat anti-COVID, duke mbajtur maskën mbrojtëse si dhe duke ruajtur distancimin social.
Aktualisht numri total i infektimeve ka shkuar 197,279, ndërkohë që ai i viktimave është 6,597 në të gjithë vendin që nga fillimi i pandemisë.