Të ikësh me kokën pas... kjo po ndodh me emigrantët nëpër botë, që vit pas viti shtojnë vlerën e dërgesave të tyre për familjarët që janë në Shqipëri.
Vjet është regjistruar rekord i ri sa i takon remitancave. Banka e Shqipërisë thotë se emigrantët sollën në Shqipëri përmes kanaleve formale, transfertave 1 miliardë e 45 milionë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, dhe në raport me vitin 2023 është në rritje prej 116 milionë euro.
Por dërgesat e emigrantëve janë edhe më të larta, nëse vlerësojmë edhe miliona euro që vijnë në vend cash, sidomos në periudha kur emigrantët kthehen në vend për pushime apo festa të ndryshme.

Vetëm në tremujorin e fundit të 2024-ës që përkon edhe me festat e ndërrimit të viteve emigrantët sollën për të afërmit e tyre 273 milionë euro, në rritje vjetore 8%.
“Gjatë periudhës është vërejtur zgjerim jo vetëm në volumin e dërgesave përmes kanaleve formale, por edhe prurjeve në cash”, thotë Banka e Shqipërisë.
Dërgesat e emigrantëve po shtohen nga viti në vit, dhe pritet të përjetojnë një tjetër hov pas fillimit të kryerjes së transfertave përmes SEPA, pasi kostot/komisionet për dërgesat e tyre do të ulen ndjeshëm.
Fluksi i lartë i remitancave dëshmon gjithashtu shtimin e shqiptarëve nëpër botë. Emigrimi edhe pse po prodhon pasoja negative në vend pasi mungojnë punonjësit të kualifikuar ose jo, nga ana tjetër ka ndikuar në uljen e nivelit të varfërisë, pasi remitancat përbëjnë një burim të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm financimi për ekonominë vendëse.
Një analizë e vitit të kaluar e Bankës së Shqipërisë tregonte se pa remitancat niveli i varfërisë në vend do të ishte 8% më i lartë sesa është. Nëse sot niveli i varfërisë është 20%, pa dërgesat nga emigrantët do të shkonte 28%. Shifrat e institucioneve vendase e të huaja tregojnë se 1 në 4 familje shqiptare përfiton nga remitancat.
Komente


Pa emigrantet, Shqiperia vdes per buke.
PërgjigjuEmigrantet po mbajne Shqiperine gjalle.
Përgjigju