Korça është kthyer këtë të diel në një pistë vrapimi, me zhvillimin e edicionit të parë të “Korça Half Marathon – Little Paris”.

Mbi 1 mijë e 100 vrapues morën pjesë në garat e organizuara në distancat 3, 5, dhe 21 kilometra, duke sjellë në qytet një atmosferë festive dhe sportive. Organizatorët bëjnë me dije se aktiviteti është i certifikuar dhe i regjistruar në kalendarin botëror të maratonave.

Përveç pjesëmarrësve nga Korça dhe qytete të tjera të Shqipërisë, në edicionin e parë morën pjesë edhe mbi 45 vrapues të huaj.

Në distancën 21 kilometrave triumfoi korçari Ilir Këllezi. Për Këllezin, kjo ishte fitorja e 12-të në një garë të zhvilluar në Shqipëri, ndërsa me këtë rezultat koleksioni i tij ka arritur në 75 kupa dhe mbi 203 medalje.

Në garën e 5 kilometrave, vendin e parë e mori Lis Binaku nga Gjakova si dhe 81-vjeçari Sotir Qirjaqi, i cilësuar si vrapuesi më i madh në moshë i këtij edicioni. Me një karrierë prej mbi 390 garash në qytete të ndryshme të botës, Qirjaqi e cilësoi maratonën e Korçës një aktivitet të rëndësishëm për qytetin.

Synimi është që “Korça Half Marathon – Little Paris” të kthehet në një traditë të përvitshme, duke e vendosur qytetin në kalendarin e aktiviteteve ndërkombëtare të vrapimit.