Mbi 13 mijë masa administrative janë vendosur nga Policia Rrugore e Tiranës gjatë javës së fundit, ndërsa 32 persona janë proceduar penalisht dhe 48 automjete janë bllokuar si rezultat i kontrolleve të kryera në akset rrugore të kryeqytetit.

Sipas bilancit të publikuar nga Rrugorja, janë vendosur gjithsej 13 522 masa administrative. Pjesa më e madhe e tyre, 8 818, janë për ndalim dhe qëndrim të gabuar. Ndërkohë, 1 243 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 602 drejtues për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 487 për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, 66 për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit dhe 26 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjatë kësaj periudhe janë proceduar penalisht 32 shtetas, ndërsa 48 automjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore bën me dije se kontrollet kanë vijuar edhe ndaj mjeteve të transportit publik dhe automjeteve që transportojnë nxënës, me synim rritjen e sigurisë së pasagjerëve dhe parandalimin e shkeljeve.

Në kuadër të monitorimit në terren dhe në rrjetet sociale, Rrugorja reagoi edhe pas publikimit të një videoje ku shfaqej bllokimi i lëvizjes në autostradën Tiranë-Durrës. Tre persona u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", ndërsa automjetet që drejtonin u sekuestruan. Policia njofton se vijojnë veprimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Rrugorja e Tiranës thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane dhe interurbane, si edhe ndaj mjeteve që transportojnë nxënës dhe autobusëve urbanë. Njëkohësisht, u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.