Në Tiranë prej 8 shtatorit po zhvillohet kampionati evropian i universiteve për artet luftarake të përziera, që ka sjellë në kryeqytet garues nga 36 vende të ndryshme dhe afërsisht 400 universitete. Deri më tani Shqipëria ka siguruar 2 medalje ari, ndërsa paraqitjet janë konsideruar pozitive.
“Kam garuar në dy ndeshjet që i kam fituar. Sot ishte ndeshja e tretë gjysmëfinale dhe po pres të garoj në finale. Pretendoj të marr medaljen e artë,”-u shpreh Klevis Zeneli, sportist i kickbox.
Edhe studentët e huaj kanë ardhur në Shqipëri me pretendime të larta dhe jo vetëm për pjesëmarrje.
“Jam nga Bullgaria dhe vij nga universiteti i Sofias. Vij jo vetëm për të marrë pjesë, por për të fituar sepse jam shpallur dy herë kampione Evrope. Dua të nderoj veten dhe universitetin ku bëj pjesë,”-tha një studente nga Bullgaria.
“Jam Rafaela dhe vij nga universiteti i Vienës në Austri. Jam e lumtur për të qenë këtu dhe për të marrë pjesë në këtë kampionat. Besoj se do të jetë një eksperiencë e bukur. Dua të kaloj mirë dhe në të njëjtën kohë të jem një luftëtare e mirë,”-u shpreh një tjetër studente.
Mbikëqyrësit e garës e cilësojnë konkurrueshmërinë në nivele të larta edhe pse janë studentë.
“Ka sportistë shumë cilësorë nga e gjithë Evropa. Sidomos ndeshjet që janë zhvilluar në ring kanë qenë me një nivel shumë të lartë sportive. Gara shumë të forta dhe sportistë të cilët kanë luftuar deri në sekondat e fundit për të marrë medaljet,”-deklaroi Ilda Lelo, koordinatore e kickbox.
Për kreun e Federatës Shqiptare të Sportit Universitar, Besnik Veliu, ky kampionat evropian ka thyer rekorde në Shqipëri.
“Ky kampionat ka hyrë në histori si kampionati me pjesëmarrjen më të madhe në llojin e tij. Plot 1850 garues, përfshirë edhe zyrtarë. Kjo thyen çdo rekord të pjesëmarrjeve të mëparshme,”-tha Besnik Veliu, kreu i FSHSU.
Pak ditë më parë në rrjetet sociale pati kritika për organizimin, teksa kushtet e akomodimit të studentëve linim për të dëshiruar. Për Report TV Veliu thotë se Bashkia e Tiranës në momentet e fundit mohoi akomodimin e pjesëmarrësve edhe pse fillimisht e kishte garantuar atë. Për rrjedhojë Veliu sqaron se pas kampionatit do të hedhë në gjyq bashkinë.
Kjo është hera e parë që kampionati evropian i universiteteve për artet luftarake të përziera organizohet në Shqipëri, ndërsa garat do të zgjasin deri më 17 shtator kur edhe do të zhvillohet ceremonia mbyllëse.









Komente
Komento