Rrugët e Tiranës kanë nxjerrë një bilanc të rëndë shkeljesh gjatë javës së fundit. Nga kontrollet e Policisë Rrugore janë konstatuar plot 3770 shkelje të rregullave të qarkullimit.

Gjatë verifikimeve në akset lidhëse dhe rrugët me lëvizje të madhe, u evidentuan edhe 28 raste që përbëjnë vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. Drejtuesit e përfshirë u arrestuan ose u morën nën hetim penal.

Një nga problemet më të shpeshta në trafik mbetet parkimi dhe pozicionimi i gabuar i mjeteve. Vetëm gjatë kësaj jave janë vendosur 248 masa për drejtues që nuk ishin pozicionuar siç duhet në karrexhatë, duke krijuar shpesh bllokime dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Po ashtu, 32 drejtues u kapën duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, një nga shkeljet që konsiderohet ndër më të rrezikshmet për sigurinë në rrugë.

Ndërkohë, 57 automjete të ndaluara ose të parkuara në kundërshtim me rregullat janë larguar nga rruga me mjet ngritës.

Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi dhe të tregojnë më shumë kujdes në rrugë.

Njoftimi i plotë i Policisë Rrugore

Policia Rrugore e Tiranës, kontrolle të vazhdueshme në akset lidhëse dhe në ato me frekuentim të lartë, me objektiv parandalimin e aksidenteve.

Si rezultat i prezencës së shtuar të shërbimeve të Policisë Rrugore dhe monitorimit të akseve, me mjete logjistike bashkëkohore, gjatë javës së fundit u konstatuan:

-3770 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor;

-28 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, autorët e të cilave u arrestuan ose u proceduan penalisht;

Ndër masat e vëna për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor:

-248 masa të vëna për mospozicionim të rregullt në karrexhatë, shkelje e cila nxit manovra të gabuara dhe krijon kaos në trafik;

-32 masa të vëna për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit, shkelje kjo tejet e rrezikshme dhe shpesh burim aksidentesh me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës;

-lëvizjen me mjet ngritës, të 57 automjeteve të ndaluara/pushuara në kundërshtim me parashikimet e Kodit Rrugor.

Policia Rrugore apelon sërish, për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit, shmangien e drejtimit të mjetit, në efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, si dhe për rritje të përgjegjshmërisë, nga të gjithë përdoruesit e rrugës, me qëllim garantimin e përmbushjes së parametrave të sigurisë rrugore.