Lufta në Lindjen e Mesme ka paralizuar një pjesë të madhe të trafikut ajror në rajonin e Gjirit Persik. Në vetëm dhjetë ditët e para të konfliktit mes SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, mbi 7,5 milionë pasagjerëve iu anulluan fluturimet.
Nga 28 shkurti, dita kur nisën sulmet, deri më 10 mars janë anuluar të paktën 43.100 fluturime mes nisjeve dhe mbërritjeve në rajon. Sipas të dhënave të sektorit të aviacionit, rreth 55% e fluturimeve të planifikuara nuk janë kryer.
Grafiku tregon gjendjen e fluturimeve në Gjirin Persik që nga nisja e luftws, ku vektorët me të kuqe tregojnw fluturimet e anulluara.
Goditja më e madhe ka rënë mbi kompanitë ajrore të Gjirit, që janë ndër nyjet kryesore të transportit global mes Europës, Azisë dhe Oqeanisë. Pesë operatorët kryesorë të rajonit, Emirates, Qatar Airways, Etihad Airways, flydubai dhe Air Arabia, kanë anuluar së bashku të paktën 16.500 fluturime, duke prekur rreth 3,7 milionë pasagjerë.
Mbi dy milionë prej tyre kishin rezervuar me Emirates dhe Qatar Airways, ndërsa më shumë se gjysmë milioni me Etihad. Vetëm nga biletat e fluturimeve të anuluara, humbjet për kompanitë arrijnë të paktën në 1,6 miliardë dollarë.
Grafiku tregon gjendjen e fluturimeve në Lindjen e Mesme për 5 linjat kryesore ajrore.
Por kostoja reale është edhe më e lartë. Përveç të ardhurave të humbura nga biletat, kompanitë duhet të përballojnë shpenzime të tjera: rimbursime, bileta të reja për pasagjerët e bllokuar, akomodim në hotele, ushqime, transport drejt aeroportit dhe humbje nga transporti i mallrave në avionë.
Pas një jave me mijëra anulime, disa fluturime kanë filluar gradualisht të rifillojnë. Emirates dhe Etihad kanë rikthyer një pjesë të linjave nga Dubai dhe Abu Dhabi, ndërsa Doha ka nisur të lejojë disa lëvizje ajrore pas një bllokimi pothuajse total.
Tre aeroportet kryesore të rajonit janë ndër pikat më të rëndësishme të tranzitit ajror në botë. Çdo ditë mbi 100 mijë pasagjerë i përdorin ato për udhëtime mes Europës dhe Azisë. Rreth 80% e udhëtarëve me Qatar Airways dhe Etihad, janë në tranzit, ndërsa për Emirates kjo përqindje është rreth gjysma e pasagjerëve.
Quota e pasagjerëve të prekur nga anullimet e fluturimeve sipas linjave ajrore
Sipas vlerësimeve të analistëve, humbjet direkte nga transporti i pasagjerëve arrijnë rreth 640 milionë dollarë për Emirates, 605 milionë për Qatar Airways, 206 milionë për Etihad dhe rreth 110 milionë dollarë për flydubai dhe Air Arabia.
Të ardhurat e humbura të kompanive ajrore të Lindjes së Mesme
Për momentin, kompanitë e Gjirit kanë rezerva të mëdha financiare dhe mbështetje nga fondet sovrane të shteteve të tyre. Por nëse konflikti zgjat edhe disa javë, kriza në qiell mund të kthehet në një goditje shumë më të rëndë për një nga qendrat më të mëdha të aviacionit në botë./CorrieredellaSera
Komente






