Mbi 50 mijë qytetarë qytetarë kanë plotësuar pyetësorin në kuadër të nismës së qeverisë për Këshillimin Kombëtar. Kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili ka zbuluar edhe shifrën e qytetarëve që kanë plotësuar formularin, ka garantuar se fjala e tyre do të dëgjohet në çdo aspekt.

"Të dëgjojmë njeri-tjetrin", ka shkruar kryeministri në fund, duke ftuar në këtë mënyrë çdo qytetar të interesuar të japi kontributin e tij me plotësimin e pyetësorit.

"Deri tani 50,686 numri i qytetarëve që kanë dhënë mendimin e tyre përmes platformës www.keshillimikombetar.al apo kanë kthyer me postë pyetësorët e plotësuar që u kanë mbërritur në banesë. Me falënderimin dhe garancinë se opinioni juaj do të dëgjohet me respekt, ju ftoj të dëgjojmë njëri-tjetrin në pyetësorin.", shkruan Rama.

Veçse online, formularët e Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë u janë dërguar tashmë banorëve të Tiranës në shtëpi. Qytetarët mund t’i plotësojnë dhe më pas me anë të një zarfi mund t’i dërgojnë me postë falas në kryeministri. Po ashtu çdo bashki do të hapen pika të posaçme ku mund të plotësohen formularët. 

Nga vaksinimi i detyrueshëm te legalizimi i kanabisit, janë disa nga pyetjet që qytetarët do të japin opinionin e tyre përmes Këshillimit Kombëtar. Pyetësori prej katër faqesh, i mbështetur në 5 shtylla, familja, lufta kundër krimit, ekonomi, punësim e integrimi i vendit, nis me pyetjen nëse duhet bërë diferencim për nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur në përfitimin e mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti.

Qeveria, në mandatin e saj të 3 qeverisës, ka vendosur që të dëgjojë më shumë zërin e qytetarëve për çështjet me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë dhe shoqërinë. Kjo do të bëhet përmes nismës "Këshillimi Kombëtar për Shqipërinë", që sipas kryeministrit Edi Rama do të jetë një kuvendim popullor me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit për të dhënë mendimin e tyre për çështjet me rëndësi.