Personat me aftësi të kufizuara pritet të kenë më shumë shërbime në komunitet, akses më të lehtë në arsim, punësim dhe rehabilitim, si dhe mbështetje më të madhe për jetesë të pavarur deri në vitin 2030. Këto janë disa nga ndryshimet që parashikon Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026-2030, i miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Dokumenti, i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përfshin 68 masa prioritare dhe 283 ndërhyrje konkrete, me një fond të përgjithshëm prej rreth 7.6 miliardë lekësh për pesë vitet e ardhshme.

Në një postim në rrjete sociale, ministria sqaron se një nga synimet kryesore të planit është kalimi nga modeli i mbështetjes që fokusohet kryesisht te pagesat financiare, drejt një sistemi që synon përfshirjen e plotë sociale dhe ekonomike të personave me aftësi të kufizuara.

Në fokus do të jenë zgjerimi i shërbimeve komunitare, rehabilitimi, arsimi gjithëpërfshirës, formimi profesional, punësimi, teknologjitë ndihmëse dhe përmirësimi i infrastrukturës së aksesueshme.

Plani parashikon gjithashtu krijimin e planeve të individualizuara për përfituesit e qendrave të zhvillimit, identifikimin e personave që rrezikojnë institucionalizimin, si dhe forcimin e financimit për shërbimet sociale në të gjithë vendin.

Një pjesë e rëndësishme e masave lidhet edhe me sistemin shëndetësor. Dokumenti synon zgjerimin e shërbimeve të rehabilitimit, përmirësimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe rritjen e aksesit në pajisje ndihmëse, sipas nevojave të çdo individi.

Ndryshime parashikohen edhe në arsim, ku synohet forcimi i arsimit gjithëpërfshirës, zhvillimi i edukimit të hershëm dhe krijimi i lidhjeve më të forta mes shkollimit, formimit profesional dhe tregut të punës.

Qeveria e konsideron planin si një nga dokumentet kryesore për garantimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara gjatë pesë viteve të ardhshme, me synimin që ata të kenë më shumë mundësi për pjesëmarrje aktive dhe jetë të pavarur në shoqëri.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Qershor, 21:08

    A e mbështesni protestën kundër investimit në Zvërnec?