Me 23 vota pro, 1 kundër dhe 11 abstenime, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i dha dritën jeshile 6 përfituesve të parë nga Paketa e Maleve në zonën e Thethit.

Në projektvendimin e paraqitur para këshilltarëve, drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë Shkodër, Mikel Kopsaj, u shpreh se me këtë vendim u jepet mundësia banorëve të përdorin tokat e trashëguara brez pas brezi nga të parët e tyre.

“Në Bashkinë Shkodër janë rreth 700 shprehje interesi. Vetëm për zonat e shpallura me VKM ka pasur 200 aplikime. Shfaqja e interesit bëhet me një klikim ndërsa aplikimi kërkon ngarkimin e dokumentave shtesë dhe ndjekjen e procesit. Jemi në proces verifikimi të të gjitha kërkesave. Shumicat e parcelave ku ka pasur aplikime rezultojnë pronarë shtet ose Bashkia Shkodër por nuk plotësojnë kriterin e zërit kadastral në zbatim të Paketës Maleve. Për këta aplikues jemi në kushtet e pamundësisë së procedurës së njohjes së poseduesit faktik” tha Mikel Kopsaj.

Por ky projektvendim, i pari i këtij lloji, nuk kaloi pa debate. Këshilltarët e opozitës deklaruan se nuk janë kundër paketës, por kërkuan më shumë transparencë në dokumentacionin dhe procesin që po ndiqet. Nga ana tjetër, mazhoranca e cilësoi këtë projektvendim si një hap konkret në ndihmë të banorëve të zonave që përfitojnë nga Paketa e Maleve.

“Shyqyr që u ka ardhë dita të gëzojnë pronat e gjyshërve. Ta votojmë të tërë sepse është në të mirën e qytetit sepse marim pronat e stërgjyshërve. Ta votojmë dhe e gëzofshin” tha Muharrem Shkjau

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, gjatë diskutimeve në këshill, theksoi se kjo është faza e dytë e një procesi që nuk mbyllet në këshill, por do të kalojë edhe në instancat e tjera të qeverisë.

"Këto hapa që do merren nga bashkia janë të bazuara në ligj. Sot jemi në fazën e dytë pas miratimit të zonës me përparësi zhvillimi. Sot jemi për përcaktimin e përfituesve jo pronarë dhe pastaj të gjitha kriteret dhe kontratat e kalimit të pronësisë do të ndiqen nga ministritë përkatëse. Sot nuk po japim as leje e as për të përcaktuar zhvillimin” tha Preka.  

Janë mbi 200 aplikime për Paketën e Maleve në Bashkinë Shkodër, një proces që ka nisur prej disa muajsh dhe që do të vijojë me shqyrtimin e aplikimeve të tjera. Njësia Administrative Shalë, me fshatrat Theth dhe Ndërlysaj, si dhe Njësia Guri i Zi, me fshatrat Rragam dhe Sheldi, janë zonat me potencial zhvillimi të miratuara nga qeveria shqiptare në kuadër të Paketës së Alpeve për Bashkinë Shkodër.