Pasi Prokuroria e Posaçme sekuestroi dje në Palasë një tjetër vilë të Belinda Ballukut, avokati Saimir Vishaj është shprehur se ish-zv.kryeministrja duhet të ishte në burg.

Komentet Vishaj i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Vishaj tha se me akuzat që rëndojnë sot mbi Ballukun, ish-zv.kryeministrja nuk mund të vijojë të hetohet në gjendje të lirë. Ai shtoi se SPAK nuk po vepron dhe se u mjaftua vetëm me një kërkesë të dërguar në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut.

“Unë jam avokat dhe nuk dëshiroj që as Balluku e as balluket të shkojnë në burg. Por nëse ne kemi disa parulla që ligji është i barabartë për të gjithë apo askush nuk është mbi ligjin, duhet që ashtu siç është dënuar ai person për 4 bimë lëndë narkotike, ti me miliona euro që ke 700 vila, pastrim parash, etj, më vjen për të ardhur keq që SPAK ende nuk po vepron. U mjaftua me atë rrëzim kërkese që u bë në Kuvend”, tha mes të tjerash Vishaj.

Visha shtoi se në momentin që mbi Ballukun do të ngrihet një akuzë e re për ‘pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal’, mazhoranca nuk do e pengojë dot heqjen e imunitetit të saj dhe ish-zv.kryeministrja do të përfundojë pas hekurave.

Sipas Vishajt, SPAK e ka të pamundur gjetjen e provave të reja për Ballukun, duke e lënë ish-ministren të lirë.

“Por në momentin që do të kemi një akuzë të re si ‘grupi i strukturuar kriminal’, unë jam i bindur që edhe kjo ish-ministre do të shkojë në paraburgim. Nuk mund të hetohet për vepra të tilla në gjendje të lirë, kur prova është aq delikate. Ne po flasim këtu për një arrestim, por duhet të flasim edhe për ta provuar këtë fakt. Duhet të gjesh provat dhe provat duke e lënë subjektin të lirë, nuk mund të gjenden”, shtoi Vishaj.

Në përfundim Vishaj tha se besimi i qytetarëve te Reforma në Drejtësi dhe te SPAK është venitur.

Kjo mungesë besimi, sipas Vishajt ka ardhur pasi qytetarët kanë parë se një person i arrestuar për pak rrënjë kanabis, dënohet më shumë se një kryebashkiak i akuzuar për miliona euro korrupsion.

“Qytetarët filluan të besojnë pas reformës në drejtësi, ku disa kryebashkiakë u arrestuan dhe u dënuan me 8-9 muaj. Por më pas ky besim ra, pasi e panë që dikush me 5 rrënjë kanabis dënohej 7 vite burg, ndërsa një kryebashkiak që kishte vjedhur miliona euro, për ndërtimin e një rruge që ajo rrugë nuk ekzistonte, por paratë e dala nga buxheti i shtetit kishin avulluar, dënoheshin më pakë. Dhe ky besim u venit”, përfundoi Vishaj.