"Masteclass" ose në shqip "Klasa Mjeshtërore" në vetvete është mësim i hapur ku shkëmbehet përvoja formuese artistike në ndihmë të një procesi të pandalshëm ku gjithkush përfiton. Me pak fjalë, përfitimi është tre palësh, së pari në mënyrë të drejtpërdrejtë e studentëve pjesmarrës, së dyti e atij apo asaj që ndan përvojën përmes mësimit të hapur pra "Masterklasit", së treti edhe të pedagogut/es të studentit apo studentes që paraqitet, përvoja e të cilit mund të rezultojë në të njëjtën frymë me atë që shfaqet në Masterklas. Përfitimi kryesor e gjithëpërfshirës qëndron në faktin se krijohen hapësira të reja e nxiten rrugë të reja. Nuk dua të futem fare në debatin që u hap në media e në rrjete sociale, por jam i mendimit se masterklaset duhet të jenë e të ndodhin kudo në hapësirat tona institucionale artistike.
Madje mendoj se emra artistësh të mirëfilltë shqiptarë që i bëjnë nder vendit edhe në arenën ndërkombëtare, duhet të ftohen vazhdimisht nga institucionet tona pasi siç e theksova, përftohen vetëm të mira nga të gjitha palët.
Fakti që ishte një emër si Ermonela Jaho dhe kishte mungesë të theksuar studentësh është me të vërtetë një gjë jo e mirë!Përtej debatit "me pagesë apo pa pagesë", besoj se mund të gjehen mënyra të tjera kur ka vullnet e dëshirë.
Është një emër që na nderon kudo pasi mediat ndërkombëtare i referohen si sopranoja shqiptare. A ka më shërbim të mirë ndaj atdheut?Për më tepër që ajo kthehet dhe përpiqet që të kontribuojë drejtpërdrejtë në zhvillimin e Artit përkatësisht në atë të të kënduarit lirik në vendin tonë. Sigurisht dhe pa më të voglin dyshim siç na nderojnë edhe emra të tjerë artistësh shqiptarë, nuk po i përmend të gjithë por shumë respekt për secilin që ka peshën e vetë si në lidhje me zhvillimin e artit këtu si edhe me shërbimin që i bën vendit përmes emrit të vetë në arenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër kjo nuk duhet të shërbejë për të vënë në garë nivelin profesional të askujt që ka arritur realisht me djersë e sakrificë nivele të larta në fushën e artit, qofshin ata apo ato shumë të lakuar, pak të lakuar, apo aspak të lakuar si emra jashtë vendit, pasi shpesh për këto arsye krijohen perceptime të gabuara e dilet në përkufizime të përcipta të cilat jo vetëm nuk të çojnë asgjëkundi, por përkundrazi ngacmojnë botën e errët, streha nga ku gjithësecili mundohet të dalë përmes dritës që sheh.
Shpesh harrohet apo bëhet sikur harrohet se edhe brenda gjirit tonë gjenden artistë të niveleve më të larta e jo me fjalë por me vepra. Por edhe kjo dukuri ka shkaqet e veta e nuk përbën ndonjë çudi që është e pranishme në mesin tonë!
Për mendimin tim ky debat duhej të nxiste më tepër një analizë të ftohtë e shteruese e jo të ushqente mllefet si arsye e komplekseve, që për hir të së vërtetës shkakun e vërtetë e kanë tek një sistem ku fatkeqësisht prej dekadash në botën tonë akademiko-artistike, dhe jo vetëm, ka ushqyer antivlerën e si pasojë i ka dhënë jetë mediokritetit të tejskajshëm. Një sistem që ka krijuar një gjendje anormale duke penguar përqëndrimin dhe vullnetin drejt zhvillimit të natyrshëm mbi themelet e vlerave të vërteta, ka bërë që përfituesit më të mëdhenj të tij të jenë përfaqësuesit e kudondodhur të injorancës, mediokritetit e ligësisë.
Si rrjedhojë nuk mund të shërbejë një emër apo një tjetër që përfaqësojnë vlera më të larta për të nisur sulme të gjithëanëshme drejt personit apo drejt institucioneve duke përgjithësuar gjithçka. Kanalizimi i debatit drejt një qëllimi që nuk shërben për të afruar palët por për të dhënë opinione të cekta pa bërë një analizë të thelluar mbi shkak-pasojën është i panevojshëm, e madje i dëmshëm për shoqërinë.
Tani jashtë debatit por në lidhje me një dukuri ku janë krijuar perceptime të gabuara për arsyet e sipërmendura. Fatkeqësisht kjo ndodh shpesh jo vetëm këtu por edhe në vendet perëndimore. E theksoj edhe njëherë se kjo nuk lidhet fare me emrin shumë të nderuar të Ermonela Jahos apo kujtdo tjetër që përfaqëson së pari vlerat më të larta të artit e natyrshëm edhe të vetvetes. Përsa i përket përcaktimit të nivelit të lartë të një artisti ku disa e lidhin automatikisht me garën e çmimeve apo trofeve, për mendimin tim kjo nuk është gjithmonë e saktë pasi nuk është ky kriteri kryesor. Këtë nuk e them vetëm unë por e kanë thënë shumë artistë të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të mëdha në mozaikun e artit të muzikës botërore.
Sigurisht që është fatkeqësi kur "arti" shërben si mjet për të ledhatuar e fryrë si tullumbac personalitetin e njërit apo tjetrit. Madhështia deliruese në këtë botë ku fatkeqësisht edhe Arti prej shumë dekadash përdoret nga biznesi për konsum, ka shtrembëruar thelbin mbi të cilin u krijua dhe rrugën që shtruan e mbi të cilën ecën vetë gjenitë e artit botëror të periudhave të ndryshme. Sigurisht arti do mbështetje të madhe por modeli i tij nuk duhet dhe nuk mund të përcaktohet përmes formateve që pikësëpari janë krijuar për konsum e për përfitime të mëdha materiale, si për shembull: konkurse, tituj, trofe pasi edhe vlerësimi është i kushtëzuar e i varur nga rrethana mjaft komplekse. Kjo sigurisht që nuk është gabim dhe është e kuptueshme në botën e kapitalit por përcaktimi standartizues i modelit për këtë qëllim deformon, ndrydh dhe shpërfytyron natyrshmërinë e thjeshtësinë, dy elementë mjaft të rëndësishëm përmes të cilëve shpërfaqet Arti i mirëfilltë. Kjo nuk ka lidhje fare me pikëpamje ideologjike politike pasi ideali im është arti i muzikës.
Pozicionimi i sforcuar përmes prezantimit të vetvetes në diçka që është kontradiktore në përputhje me qasjen ndaj artit e si rezultat me atë çfarë realisht shfaqet në skenë tregon nivelin e vërtetë të formimit të çdo artisti muzikant qoftë brenda apo jashtë vendit. Fatkeqësia më e madhe është kur njeriu që ka emër në fushën e artit, padashje nuk flet per artin por për vetveten. Edhe kjo ka arsyet e veta përse ndodh sidomos në një vend e mjedis artistik ku përçmimi ndaj vlerës së vërtetë është i pranishëm e nënvlerësimi ka qenë dhe vazhdon të jetë si diçka e zakonshme, e kjo gjithmonë ka sjellur, sjell e do të sjellë të keqen tjetër, që kur dikush largohet e i lakohet emri jashtë atëhere hipokrizia e mediokriteti i këtushëm i kalon kufijtë e arsyes.
Por sinqerisht nuk ndodh vetëm këtu tek ne!
Tani pyetja është shumë e thjeshtë. Është arti në shërbim të artistit muzikant, apo artisti muzikant në shërbim të artit? Nëqoftëse është kjo e dyta, dhe për mendimin tim kjo duhet të jetë, atëhere kuptohet që e para vjen natyrshem pa sforcime e shtrëngime që çorodisin dhe ngurtësojnë personalitetin artistik duke mos e lënë të zhvillohet më tej. Kur e dyta harrohet, e para automatikisht të fundos në një botë ku deliri i madhështisë mbulon hapësirat e pazbuluara të cilat janë pafund, e nëse ky qëllim ushqen bollshëm egot dhe ambicjet e shfrenuara ku "Arti i Muzikës" shihet thjesht pa kuptuar si diçka plotësuese e kësaj nevoje të përbindshme, është e pamundur të dilet e të kuptohet se çfarë është harruar apo lënë gjatë rrugës së gjatë e të mundimshme të tij.
E pikërisht, nevoja e kundërvënies ndaj nxitimit njerëzor drejt ambicieve të shfrenuara, mosreflektimit ndaj egove të tepruara që e çojnë drejt humbjes së arsyes mbi të qenurit në këtë jetë, e bën natyrshëm mjaft të domosdoshëm rolin e artit në një shoqëri.
*Pianist karriere e pedagog i pianos në Universitetin e Arteve, Departamenti i Interpretimit në Fakultetin e Muzikës, Tiranë
Nuk e kuptuam me cilën anë je!? Njërën dorë në bakllava e tjetrën në revani...
PërgjigjuPo ti po kerkon armikun?O me ne o me ata, o mik o armik?Pastaj paske shkruajtur edhe ne shumes. Ti fol per veten se nuk je ne emer te popullit ketu. Nuk e paske kuptuar fare kete analize. Mua me pelqeu se ka detaje profesionale te thelluara dhe analize qe qellon ne menyre direkte per ke kupton. Ky artist qenka edhe patriot. E jepka kontributin ne menyre direkte ne vendin e tij. E per kete duhej pergezuar e jo ironizuar apo share. Kush do te merret me e ka kush e ka le te vazhdoje muhabetin e sherrit me lagje ose me bakllavate e revanite.
Pse nuk e nxirrni komentin tim?