Mbi gjashtë vite në krye të partisë AfD, Jorg Meuthen nuk do kandidojë për drejtimin e saj

Mbi gjashtë vite në krye të partisë AfD, Jorg Meuthen nuk do kandidojë për drejtimin e saj

Jörg Meuthen

Pas gjashtë vjetësh e gjysmë në krye të AfD, Jörg Meuthen nuk dëshiron të kandidojë për t'u rizgjedhur. Kjo thuhet në një letër që ai u dërgoi anëtarëve të partisë, e cila është vënë në dispozicion të mediave të ndryshme. Letra e Meuthen-it drejtuar anëtarëve të "Alternativës për Gjermaninë" thotë se pas diskutimeve intensive me familjen e tij, ai ka vendosur të mos kandidojë përsëri për postin kryesor në zgjedhjet e reja të ekzekutivit të partisë në dhjetor.

AfD fitoi 10.3 përqind të votave në zgjedhjet e Bundestagut. Në zgjedhjet katër vjet më parë, ajo kishte arritur një rezultat shumë më të mirë me 12.6 përqind. Bashkëkryetari tjetër i partisë, Tino Chrupalla dhe kryetarja e grupit parlamentar të AfD-së në Bundestag Alice Weidel, të cilët konsiderohen si kundërshtarë të Meuthen-it, kishin kandiduar si kandidatët kryesorë në zgjedhjet parlamentare.

Nuk jepen arsye

Meuthen nuk dha  në letrën drejtuar anëtarëve ndonjë arsye konkrete për lëvizjen e tij për t'u tërhequr nga udhëheqja e partisë. "Unë natyrisht do të vazhdoj punën time politike," shkroi ai. Ai foli për një "kohë tepër intensive në krye të partisë, të karakterizuar nga shumë vështirësi dhe zhgënjime".

Meuthen është deputet i Parlamentit Evropian. Në dy vitet e fundit, ai kishte argumentuar për një kurs më të moderuar për AfD. Duke vepruar kështu, ai ka bërë armiq në lëvizjen e ekstremit të djathtë të partisë rreth liderit të AfD-së në Tyringen, Björn Höcke. Kjo rrymë është nën mbikqyrjen e  Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës si një përpjekje e krahut ekstrem të djathtë.

"Ky është një vendim personal i Jörg Meuthen," tha Chrupalla për agjencinë gjermane të shtypit, dpa. Marrëdhënia mes dy bashkëkryetarëve ishte tensionuar kohët e fundit. AfD dëshiron të zgjedhë ekzekutivin e saj të ri të partisë në 11 dhjetor, në një konferencë dy ditore të partisë në Wiesbaden.

A do të mbetet lidershipi i dyfishtë?

Chrupalla tha se ai tashmë e kishte shpallur synimin e tij për të kandiduar përsëri. Ai nuk donte të thoshte se kë do ta konsideronte si bashkëkryetar, nëse lidershipi i dyfishtë do të mbetej. Ka zëra brenda AfD se përveç Chrupallas, i cili vjen nga landi i Saksonisë, duhet të zgjidhet një bashkëkryetar nga Perëndimi i Gjermanisë. Ndër ata që përmenden në këtë kontekst janë liderja e grupit parlamentar në Bundestagut, Alice  Weidel dhe kandidati kryesor AfD për  Bavarinë në zgjedhjet e Bundestagut, Peter Boehringer.

Ai u uron delegatëve në konferencën e partisë federale një dorë me fat në zgjedhjen e udhëheqjes së re të partisë, shkroi Meuthen. "Le të bëjnë një zgjedhje të kujdesshme dhe të zgjedhin anëtarë të arsyeshëm të kryesisë, të cilët do të avancojnë më tej partinë tonë si një parti e vendosur e sundimit të ligjit dhe si një parti e fortë dhe si e vetmja parti e vendosur liridashëse-konservatore."

Meuthen u zgjodh bashkëkryetar për herë të parë në verën e vitit 2015, në një konferencë partie në Essen që u karakterizua nga trazira. Në atë kohë, ai ishte në krye të partisë me Frauke Petry-n. Ajo u largua nga AfD pas zgjedhjeve federale të vitit 2017, duke u ankuar se partia po zhvendosej në të djathtë./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja