Të hënën, më 17 Nëntor, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai do të mirëpritet nga ministrja e Jashtme Elisa Spiropali në orën 15.30.

Pas takimit bilateral, të dy ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në ministrinë e Jashtme, e cila parashikohet që të nisë në orën 16.30 deri në 17.00.

Vizita e Wadephul vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si dhe bashkëpunimin politik e ekonomik mes dy vendeve.

Vizita e tij vjen në kuadër të turit që do të nisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme të Berlinit për rrugën e rajonit drejt Bashkimit Evropian. Vizita e tij nis të dielën në Bosnje dhe Hercegovinë, për të vazhduar më pas në Mal të Zi, për të ardhur më pas në Shqipëri, Kosovë, e Serbi.

Në Kosovë, ai pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe me ushtarët gjermanë të KFOR-it. Turneu do të përmbyllet të mërkurën në Maqedoninë e Veriut.