Sipas raportit prej 294 faqesh, problematikë në disa burgje evidentohen kushtet e higjenës, ambientet e takimit me familjarët, si dhe ajo që është më shqetësuese, është mbipopullimi, në shumë raste dhomat janë me 5 deri në 6 të dënuar, ndërkohë që ka dhoma ku vuajnë dënimin 16 të burgosur.
Situata më problematike ndodhet në paraburgimin e Beratit, ku në shumë raste, të dënuarit flenë dy veta në një krevat, kjo për shkak se kapaciteti i këtij institucioni është për 40 persona, ndërkohë që aktualisht janë më tepër se 80 persona. Ndërkohë në raportin e monitorimit, tregohet se problem janë ambientet e dusheve, dhuna mes të dënuarve dhe puna në burg, e cila nuk paguhet dhe nuk merren parasysh sigurimet shoqërore. Ndërsa, përsa i përket orareve të ajrosjes, kjo respektohet në të gjitha burgjet, si dhe e drejta e informimit, takimet dhe telefonatat me familjen janë brenda standardeve.
Dy në një krevat
Sipas grupit të monitorimit dhomat e banimit, të cilat janë standarde, kanë përafërsisht këto përmasa: 3.5mx2mx3m. Ato nuk ishin të pajisura me ambient banjoje (Wc dhe lavaman). Mospaisja e dhomave të banimit me ambient banjoje, krijonte kushtet për mosplotësimin e nevojave personale në momentin e duhur, sikundër parashikohet në aktet ndërkombëtare.
Në këto dhoma banimi, të cilat ishin të paisura me krevate marinare (për 2 veta), u konstatua se në shumë prej tyre banonin 3-5 persona, ku fjetja realizohej në disa raste, dy persona në një krevat, ose në shumicën dërrmuese për tokë. Raste të tilla, në kushtet e një mbipopullimi të lartë, që u konstatuan në shumicën e rasteve, cënojnë të drejtën e një të paraburgosuri për trajtim njerëzor, e garantuar kjo edhe nga legjislacioni vendas.
Rrobat në qese
Në dhomat e të paraburgosurve është konstatuar mungesë e rafteve apo dollapeve për mbajtjen e rrobave apo sendeve personale përkatëse. Të
paraburgosurit detyroheshin t’i mbanin rrobat e tyre në qese të ndryshme poshtë shtretërve, si për shembull në institucionin e Rrogozhinës, “Mine Peza” (302) Tiranë, QSB Tiranë, Tepelenë, etj.Prej mbipopullimit, në disa prej institucioneve të paraburgimit, jo të gjithë të paraburgosurit ishin të pajisur me shtretër të përshtatshëm. Në disa raste si për shembull në institucionin e Lezhës, Elbasanit, Beratit, etj, një numër i caktuar i të dënuarve, flenë në krevate marinari me tre kate.
Keqtrajtimi
Në një rast, grupi monitorues ka marrë kontakt me dy të dënuar të keqtrajtuar nga një grup të dënuarish të tjerë. Rasti ka ndodhur në ambientet e ajrimit, ku sipas grupit të monitorimit edhe pse e gjithë ngjarja është parë nga gardianët, këta të fundit kanë ndërhyrë me vonesë. Kjo situatë ka bërë që dy të dënuar të marrin dëmtime të shumta, duke u shtruar në spital.
Shkrimi u publikua sot (05.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)